Malisheva përkujton 15 maturantët që vdiqën gjatë ekskursionit në Shqipëri

Në Malishevë sot janë përkujtuar 15 maturantët e Gjimnazit “Abdyl Frashëri”, tani Gjimnazi “Hamdi Berisha”, të cilët humbën jetën në aksident trafiku gjatë një ekskursioni në Shqipëri në vitin 2004.

Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha tha se ngjarja e 14 tetorit 2004 është më e rënda pas luftës në Kosovë.

“Ngjarja e 14 tetorit të vitit 2004, është ngjarja më e rëndë dhe më e dhimbshme në Kosovën e pasluftës, dhe bashkë me ju familjarë të nderuar, të gjithë ne e kemi pasur të vështirë atë ditë, pasi kemi humbur 15 maturantë të gjimnazit”, tha Berisha.

Më 14 tetor të vitit 2004, gjimnazistët e Malishevës, ishin në një ekskursion në Shqipëri, ndërsa gjatë kthimit, njëri nga autobusët me gjimnazistë ishte aksidentuar, duke rënë në një humnerë në Fushë Arrëz. Nga aksidenti vdiqën 15 të rinj, ndërsa u lënduan dhjetëra të tjerë.

15 maturantët janë të varrosur në “Lëndinën e lotëve”, në afërsi të lagjes së Gurit në Malishevë, ndërsa në nderim të tyre, është ngritur edhe një lapidar.

Edhe Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi ka përkujtuar 14 vjetorin e vdekjes së 15 maturantëve të Malishevës.

“Sot bëhen 14 vjet nga tragjedia më e rëndë e ndodhur në Kosovën e pasluftës, ku më 14 tetor 2004, një autobus ishte aksidentuar, ku humbën jetën 15 maturantë nga Malisheva, e kishin mbetur të lënduar edhe dhjetëra maturantë të tjerë, derisa me shijen e mirë të dheut amë kishin marrë rrugën e kthimit për në Kosovë, por që gëzimi i tyre u thye shpejt, pak pa mbërritur në qytetin e Fushë-Arrëzit”, ka shkruar ministri Bytyqi në Facebook.

Sipas tij, edhe pas kaq viteve, dhimbja për Beratin, Esatin, Elgadafin, Mifailin, Rifatin, Xhevdetin, Visarin, Agronin, Ajetin, Esatin, Labinotin, Lulzimin, Megezonin, Rruhiun dhe Xhevetin është e fortë, për faktin se ata humbën jetën në ditët më të mira të rinisë.