Foto: Atdhe Mulla

LDK: Nuk Lejojmë që Deputetët e Listës Serbe ta Përcaktojnë Fatin e Kosovës

Pas vendimit të Listës Serbe për të dalë nga qeveria, LDK ka thënë se nuk do të lejojë që deputetët e Listës Serbe ta përcaktojnë fatin politik të Kosovës.

“Asnjë qeveri e Kosovës nuk mund të jetë stabile, kur shumica e thjeshtë prej 61 votave në Kuvend varet nga deputetët e Listës Serbe, të cilët, fatkeqësisht, janë bërë një instrument i Beogradit dhe nuk sillen si përfaqësues të interesave të qytetarëve të Kosovës, nga të cilët janë votuar”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Tutje kjo parti thotë se në këtë gjendje të re të krijuar, veprimet e saj do të jenë të matura dhe në përputhje me interesin nacional të Kosovës.

“Qëndrimet e lidershipit të LDK-së, edhe në ditët në vijim, do të jenë në dobi të përmirësimit të situatës dhe të kthimit të saj në favor të Kosovës”, tha LDK në komunikatë.

LDK thotë se dalja e Listës Serbe nga koalicioni qeverisës konfirmon vërejtjet që, siç shprehen “i kemi bërë me rastin e themelimit të Qeverisë, kur votimi i saj u vonua deri sa nuk mbërritën nga Beogradi deputetët e Listës Serbe”.