Debati për pajtim | Foto: KALLXO.com

Krijimi i KOMRA-s për Njohjen e Dhimbjes së Tjetrit

Në debatin “Procesi i Berlinit dhe Pajtimi në Rajon” është potencuar se duhet të krijohet Komisioni Rajonal për Faktet mbi Krimet e Luftës (KOMRA) që secila palë të njohë dhimbjen dhe viktimat e palës tjetër.

Një arsye tjetër për krijimin e KOMRA-s është edhe që barra për të kaluarën të mos bartet të gjeneratat e reja, pasi kjo mund të çojë në konflikte tjera në të ardhmen.

Ana Marjanoviq Rudan, bashkëpunëtore në projektin KOMRA ka thënë se çështja e pajtimit ka pasur rënie të madhe në aspektin politik.

Po ashtu ajo ka bërë me dije se te Procesi i Berlinit çështjet fundamentale për rajonin kanë gjetur vend modest.

“Këto nuk kanë qenë çështje kryesore të Samitit, por vetëm në disa takime politike”, ka theksuar Rudan.

Ajo ka paralajmëruar se Procesit të Berlinit po i vjen fundi dhe se e ardhmja e tij ende nuk dihet si do të vazhdojë saktësisht.

“Thënia e së vërtetës është esenciale për projektet ekonomike të Procesit të Berlinit. Kështu që sa më shpejt duhet të krijohet Komisioni për Vërtetën dhe Pajtimin”, ka përfunduar Rudan.

Kurse Bekim Blakaj, drejtori ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë ka thënë se ka frikë se të gjitha vendet e rajonit kanë krijuar narracione të cilat gjerësisht janë pranuar nga opinioni publik, e të cilat sipas tij e kanë bazën te narracioni nacional.

“Nëse ne lejojmë që gjeneratat e reja të rriten me paragjykime për palën tjetër mund të na shpien në konflikte në të ardhmen”, ka thënë Blakaj.

Adriatik Kelmendi, avokues publik i Iniciativës KOMRA, gjatë këtij debati ka thënë se edhe pse kanë kaluar 20 vjet nga përfundimi i luftërave, njëra palë nuk është e gatshme të pranojë humbjet e palës tjetër.

“Në Serbi për herë të parë ka filluar të flitet për krimet ndaj palës tjetër vetëm kur i ka shkuar për shtat politikës, menjëherë pas luftës për rrëzimin e Millosheviqit. Në Kosovë për herë të parë në Parlament është folur kur është dashur përkrahja për krijimin e Gjykatës Speciale”, ka shtuar Kelmendi.

Sipas tij, duhet të krijohet një databazë e të dhënave, me të gjitha viktimat, të rënët e të zhdukurit dhe kjo të pranohet nga të gjithë.

“Jemi angazhuar që t’i bindim presidentët e qeveritë që ta adaptojnë nismën për KOMRA që të arrihet paqja”, ka theksuar Kelmendi.

Anita Mitiq, drejtoreshë e Iniciativës Rinore për të Drejtat e Njeriut (YIHR) është shprehur e frikësuar se gjeneratat e reja e kanë marrë barrën e së kaluarës.

“Sipas disa hulumtimeve, gjeneratat e reja kanë urrejtje më të madhe për fqinjët e tyre sesa prindërit e tyre”, ka potencuar Mitiq.

Ajo tha se KOMRA duhet të krijohet për ne, e jo ngase ekziston mbështetja e ndërkombëtarëve.

KOMRA organizon një seri të tillë të debateve në vendet e dala nga lufta në rajon me përjashtim të Sllovenisë e që më pas nga këto debate të nxirren rekomandime.

KOMRA është një nismë qytetare, e cila u bën ftesë vendeve të dala nga ish-Jugosllavia që së bashku të themelojnë Komisionin Rajonal për Faktet mbi Krimet e Luftës dhe shkeljet e tjera të rënda të të drejtave të njeriut të kryera në territorin e ish-Jugosllavisë nga data 1 janar e vitit 1991 e deri në datën 31 dhjetor të vitit 2001.

Në muajin maj të këtij viti në Prishtinë, Sarajevë, Beograd e Zagreb janë mbledhur nënshkrime në mbështetje të themelimit të KOMRA-s.

http://kallxo.com/nis-mbledhja-e-nenshkrimeve-per-komisionin-e-krimeve-te-luftes/

KOMRA i tubon 2050 organizata joqeveritare për të drejtat e njeriut, shoqata të ish të burgosurve të kampeve të përqendrimit, të refugjatëve, të familjeve të personave të pagjetur, artistëve, shkrimtarëve, juristëve dhe individëve të tjerë, të cilët mendojnë se vetëm qasja rajonale mund të sigurojë një regjistër të gjithmbarshëm historik lidhur me atë se çfarë ka ndodhur në të kaluarën.

Ky koalicion ka dokumentuar 23.000 viktima në lidhje me luftërat në ish-Jugosllavi nga gjithsej 130.000 viktima të luftës, si dhe janë dokumentuar 68 kampe të përqendrimit dhe vende të tjera të mbajtjes.

Koalicioni për KOMRA e ka miratuar Propozim-Statutin në datën 26 mars të vitit 2011. Peticionin për themelimin e KOMRA-s gjatë muajit maj dhe qershor të vitit 2011 e kanë nënshkruar 545 mijë qytetarë nga shtetet e dala nga ish-Jugosllavia.

Në muajin shkurt të këtij viti Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka shpalosur idenë e tij për formimin e një komisioni të pavarur për të vërtetën dhe pajtimin.

http://kallxo.com/thaci-nis-idene-per-pajtim-por-perballet-me-nje-shembull-te-deshtuar/