Isa Mustafa- Më Shumë Para e më pak Aksione

Kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, këtë vit ka deklaruar më shumë para të gatshme, e më pak aksione e të hyra vjetore, krahasuar me vitin e kaluar.

Ndryshim ka në deklarimin e posedimit të aksioneve.

Mustafa ka deklaruar se posedon aksione në Riinvest në vlerë rreth 40 mijë euro, ose 6.40 për qind. Krahasuar me një vit më herët i bie përgjysmim i tyre, ngase në 2016-ën kishte të deklaruara 80 mijë euro apo 16 për qind të aksioneve.

Kryeministri ka deklaruar në AKK para të gatshme të mbajtura në institucione financiare gjithsej 65 mijë e 488 euro, ose rreth 13 mijë euro më shumë se në 2016-ën.

Vitin e kaluar ai kishte para të gatshme  52 mijë e 626 euro.

Për dallim nga paratë e gatshme, Mustafa të hyra ka më pak.

Në 2017-ën ai ka të deklaruara 43 mijë e 480 euro, ndërsa në 2016 kishte 46 mijë e 273 euro. Që i bie rreth 3 mijë euro më pak të hyra.

Sipas formularit të deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion, pasuria e paluajtshme e Kryeministri Mustafa kap vlerën 503 mijë euro, vlerë e njëjtë me deklarimin e vitit 2016.