Imami Gentjan Mara me vajzën e tij I Foto: BIRN

Imami Shqiptar, Frikë dhe Dëshpërim për Sirinë

Gentjan Mara e njeh Sirinë mirë. Imami shqiptar kaloi atje gati nëntë vjet nga jeta e tij duke mësuar teologjinë islamike ndërsa jetonte në kryeqytetin, Damask.

Por marrëdhëniet e tij me këtë vend, i cili është aktualisht në qendër të vëmendjes së botës si pasojë e një lufte civile shumëpalëshe, është më e fortë se kaq. Më 2008, ndërsa ai ende jetonte atje, ai u martua me Hanan, një grua siriane e cila u bë nënë e tri fëmijëve të tyre.

Aliu, djali shtatëvjeçar që qëndron pranë tij një mëngjes të shtune brenda xhamisë në periverinë veriore të Tiranës, lindi në Damask në vitin 2009.

Por në korrik 2011, Mara vendosi të sjellë familjen e tij në Tiranë dhe pak ditë më pas, mori detyrën për të drejtuar një xhami të sapondërtuar në Shish-Tufinë dhe vendosi t’ia përkushtojë jetën përhapjes së fjalës së Allahut mes bashkëkombësve të tij shqiptarë.

Ai nuk e dinte në atë kohë se vendimi i tij për të ikur nga Damasku do të rezultonte vendimi i duhur për familjen e tij. Në atë kohë, protestat e para kundër regjimit të Asad patën filluar, por askush nuk mund të imagjinonte se çfarë do të ndodhte më vonë.

“Ndërsa po ikja nga Siria, nuk e mendoja kurrë katastrofën që do të ndodhte. Ajo që ndodhi qe përtej imagjinatës time dhe të familjes time,” tha Mara për BIRN.

Imami Gentjan Mara dhe gruaja e tij
Imami dhe bashkëshortja e tij siriane Hanan | Foto: BIRN

Frikë për Damaskun

Familja Mara jeton në një vilë trekatëshe në lagjen Babrru të Tiranës, pjesë e bashkisë Kamëz, ku dy katet e para janë dhënë me qira për biznese të ndryshme.

Pavarësisht jetës së mirë në Shqipëri, imami dhe bashkëshortja e tij jetojnë me shqetësimin për fatin e Sirisë dhe të afërmve të tyre që kanë mbetur atje.

“Prindërit, motrat dhe vëllezërit e mi jetojnë në pjesën qendrore të Damaskut ku lufta nuk është aq e ashpër sa në qytetet e tjera të Sirisë, megjithëse unë kam frikë për jetët e tyre çdo ditë,” thotë Hanan.

“Në një rast, kur po flisja me nënën time, dëgjova zhurmën e bombave dhe linja e telefonit u ndërpre,” tha ajo, ndërsa sytë i përloten.

Shumë prej të afërmve të Hanan janë plagosur apo vrarë gjatë konfliktit që vijon.

“Zemra më dhemb ndërsa nuk kam mundësi t’i shoh ata ndërsa t’i sjellësh ata këtu [në Shqipëri] është shumë e vështirë,” tha ajo.

“Vetëm shpresat dhe ëndrrat e mija janë gjallë. Ëndërroj që një ditë fëmijët e mi të shkojnë dhe të studiojnë në Damask dhe të kenë mundësi të shohin gjithë ato vende të bukura për të cilat unë i tregoj” shtoi ajo.

Një refugjat i plagosur

Megjithëse Shqipëria nuk është në rrugën kryesore të Ballkanit të përdorur nga refugjatët që po ikin nga Siria dhe Iraku, familja Mara e gjeti një mundësi për të ndihmuar për krizën.

Amal, një 56 vjeçar psikologe nga Siria, u gjet me një këmbë të thyer në një pyll pranë kufirit mes Shqipërisë dhe Greqisë, pasi ajo u braktis nga trafikantët të cilët i kishin premtuar se do ta çonin në Gjermani.

Ajo u transportua për në spital në Tiranë, ku familja Mara dëgjoi për të përmes disa sirianëve të tjerë që jetojnë në Shqipëri dhe shkuan për ta vizituar.

“Kur Hanan dhe unë pamë situatën e saj, u tronditëm nga vuajtjet përmes të cilave kishte kaluar dhe vendosëm të hapim shtëpinë tonë për të,” tha imami.

Amali qëndroi me familjen Mara për tre muaj në verën e vitit 2015 dhe Hanan u përkujdes për të deri sa këmba e saj e thyer u shërua dhe ajo mund të nisej sërish për rrugë drejt Gjermanisë.

“Ne flasim me të shumë shpesh në telefon, tashmë ajo është shëndoshë e mirë. Ajo dhe bashkëshortja ime janë bërë mikesha gjatë qëndrimit këtu. Besoj që Hanan e pa atë si një nënë,” sugjeroi Mara.

640x480-Imam-Gentjan-
Imami Mara brenda xhamisë së Shishtufinës | Foto: BIRN

“Kanceri” ISIS

Mara ka ndjekur lajmet mbi imamët në Shqipëri, të cilët janë akuzuar se kanë bërë thirrje për t’u bashkuar me militantët islamikë që po luftojnë në Siri dhe Irak.

Rreth 90 shqiptarë deri tani kanë udhëtuar për në Siri dhe janë bashkuar në përgjithësi me Shtetin Islamik.

Mara thotë se besimtarë të ndryshëm e kanë pyetur për opinionin e tij mbi vajtjen për të marrë pjesë në përpjekjen e ISIS për ndërtimin e një kalifati.

“I kam thënë atyre se çdo mysliman i mirë fillimisht duhet të ndërtojë shtëpinë e tij, t’i shërbejë njerëzve të tij dhe bashkësisë së vet dhe të mësojë çdo ditë mbi fenë, Islamin. Kjo është mënyra më e mirë për t’i shërbyer Islamit,” tha ai.

“Myslimanët shqiptarë nuk kanë asnjë arsye për të vajtur dhe për të luftuar në luftën e dikujt tjetër për shkak se ata nuk e dinë realitetin dhe se do të përdoren dhe shfrytëzohen nga elementë kriminalë siç ka ndodhur në Siri dhe Irak,” shtoi ai.

Mendimi i tij për ISIS është i thjeshtë. “ISIS është një kancer për Islamin si dhe për Sirinë.”

Marrë nga Reporter.al