Hashim Thaçi, President i Kosovës. Foto: Kallxo.com

Hashim Thaçi: Nuk jam intervistuar nga Gjykata Speciale

Presidenti i vendit ka mohuar publikisht se ka ftesë apo që është ftuar për t’u marrë në pyetje nga Gjykata Speciale.

Ai në një intervistë për televizionin publik e ka quajtur gënjeshtër këtë pretendim ndërsa është zotuar se në momentin kur do të ftohej ai do e bëjë atë publike.

“Është gënjeshtër e kulluar kinse jam i ftuar. Nëse isha i ftuar do i përgjigjesha menjëherë dhe në mënyrë transparente pa asnjë hezitim”, ka thënë Thaçi.

Ai ka shtuar se deri më tani është marrë në pyetje dy herë nga hetuesit e Tribunalit të Hagës dhe ata të EULEX-it për llogari të hetimeve.

“Jam intervistuar dy herë nga Haga dhe nga EULEX për rastet në Kosovë. Andaj se kam asnjë shqetësim për ta thënë të vërtetën” ka thënë Thaçi. Opozita së fundmi ka folur në Kuvend se shumë veprime të Presidentit janë duke u kryer për shkak të frikës nga Gjykata Speciale e themeluar për të hetuar pretendimet e raportit të Dick Martyt i cili Presidentin Thaçi e përmend si përgjegjës për disa krime në vend.

Deri më tani për llogari të hetimeve të Speciales janë intervistuar dy komandantët e zonave, Sami Lushtaku e Rrustem Mustafa,

Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm UÇK-së, Sylejman Selimi, ndërsa janë ftuar edhe disa persona të tjerë përfshirë ish-deputetin Lahi Brahimaj.

Intervistat e hetuesve të Gjykatës Speciale kanë nisur në fund të dhjetorit 2018-të.