David Schwendiman, kryeprokurori i Gjykatës Speciale të Kosovës

Hashim Thaçi ‘Nuk Është Imun’ Ndaj Ndjekjes nga Gjykata Speciale

Schwendiman, kryeprokurori në gjykatën e re që po ngrihet për të gjykuar luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime të dyshuara gjatë dhe pas luftës së vitit 1999, tha për BIRN të premten se askush nuk kishte imunitet për të mos u ndjekur penalisht për shkelje të ligjit ndërkombëtar humanitar.

“Ne mund të përsërisim thjesht se, sipas ligjit ndërkombëtar, nuk ka amnisti për asnjë për shkelje të së drejtës humanitare ndërkombëtare,” tha Schwendiman kur u pyet në lidhje me Thaçin.

“Kjo është bërë e qartë edhe në ligjin për Dhomat Speciale dhe Zyrën e Prokurorisë së Specializuar që u miratua nga parlamenti i Kosovës,” shtoi ai.

Schwendiman ishte kryeprokurori i Task Forcës Speciale Hulumtuese të BE-së, SITF, e cila është marrë me shqyrtimin e pretendimeve në një raport të Këshillit të Evropës në lidhje me krimet e pretenduara se janë kryer nga luftëtarët e UÇK-së.

Raporti i vitit 2011 nga Këshilli i Evropës pretendon se luftëtarët e UÇK-së kryen krime kundër civilëve ku përfshihen rrëmbime, tortura dhe trafik organesh.

Raporti përfshin gjithashtu Thaçin, i cili ishte kreu politik i UÇK-së gjatë konfliktit të saj të armatosur me forcat serbe.

Thaçi, i cili u zgjodh president nga parlamenti i Kosovës në fundjavë, ka mohuar me vendosmëri çdo akuzë.

Schwendiman tha se hetimet e SITF-it po vazhdojnë ende, por mohoi të japë ndonjë koment mbi detaje specifike.

Gjykata e re, e cila zyrtarisht quhet Dhomat Speciale të Kosovës,  do të ngrihet në ish-ndërtesën e Europolit në Hagë.

Gjykata, e cila përbëhet nga gjyqtarë ndërkombëtare, do të themelohet sipas ligjeve të Kosovës. Kjo nënkupton se ajo nuk do të jetë një gjykatë ndërkombëtare, por një gjykatë kombëtare kosovare që administron drejtësi jashtë Kosovës.

Ajo pritet të fillojë punën e saj më vonë këtë vit.