Gjetja e marijuanës në Skenderaj | Foto: Policia e Kosovës

Gjendet Marijuanë në Veturat me Targa Hungareze

Një sasi e madhe marijuane është zbuluar në Açarevë të Skenderajt në dy makina me targa hungareze.

Sipas një komunikate të policisë, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN)-Mitrovicë Jugu kishte siguruar informata se në këtë fshat në oborr të dy shtëpive të pabanuara ndodhen dy vetura me targa hungareze me të cilat dyshohej se po transportohej narkotikë.

Veturat dhe shtëpitë e pabanuara pastaj janë kontrolluar me urdhër të gjyqtarit.

“Në njërën veturë, në mbrojtësin e pasmë të veturës janë gjetur 17 paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë. Në afërsi të veturës janë gjetur edhe 17 paketime tjera”, thuet në komunikatën e policisë.

Drogë është gjetur edhe pas kontrollimit të makinës tjetër.

“Gjatë kontrollit të veturës së dytë, në tri pjesë të ndryshme të veturës të cilat ishin të modifikuara për fshehjen e substancave narkotike janë gjetur edhe 34 paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë dhe një revole me një karikator pa fishekë”, vijon komunikata.

Edhe në shtëpitë e pabanuara është gjetur një sasi droge dhe disa dëshmi, ndërsa pas kontrollit është arrestuar një person nën dyshimin për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge .

Policia gjatë aksionit ka sekuestruar 136 kilogramë marijuanë, dy vetura me targa hungareze, një makinë elektrike që shërben për paketimin e substancave narkotike me vakum, qese të zbrazëta, izolator për paketimin e substancave narkotike, dy peshore digjitale, një revole, një telefon mobil dhe 28 euro.

“Drejtësia në Kosovë” në Rubrikën “Policia” shpeshherë ka shfaqur aksione të policisë kundër narkotikëve.

http://kallxo.com/aksioni-i-policise-konfiskimi-i-820-kilogrameve-droge/

http://kallxo.com/aksioni-policise-gjetja-e-droges-ne-tavolina-dhe-derrasa/

http://kallxo.com/aksioni-arrestimi-policit-per-transport-marijuane/