Fabrika që Mbeti Vetëm Premtim i Kryetarit Svarqa

I entuziazmuar nga vizita e ish-Presidentes Jahjaga në ditët kur fluksi i qytetarëve të Kosovës që po shkonin drejt vendeve të Evropës Perëndimor ishte në pikën më të lartë, kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa kishte bërë një premtim për hapjen e një fabrike.

“Ne dje kemi dhënë një leje që është shumë e rëndësishme për opinionin dhe qytetarët e Komunës së Ferizajt për një firmë gjermane “Unitas”, për prodhimin e energjisë alternative, bio-energjisë nga shndërrimi i drurit në bio-thëngjill”, kishte thënë Svarqa në shkurt të vitit të kaluar.

Svarqa kishte thënë se në fabrikën e bio-thëngjillit do të punësoheshin 114 punëtorë.

Afër një vit e gjysmë pas këtij premtimi, 114 punëtorë do të duhej të ishin të angazhuar në këtë fabrikë, por kjo nuk ka ndodhur.

KALLXO.com i ka dërguar pyetje Komunës së Ferizajt lidhur me projektin e premtuar nga kryetari Svarqa.

Zyra për Informim në përgjigjen e saj thotë se Komuna nuk bën licencimin e kompanisë por ka ofruar vetëm mbështetje.

“Kryetari i Komunës thotë se nuk bëhet fjalë për licencim, sepse Komuna nuk licencon kompanitë e huaja, por për ofrimin e mbështetjes për “UnitasEnergy”, një kompani që ishte stacionuar në komunën e Ferizajt dhe premtonte se do të ndërtojë kapacitete për prodhimin e bio-thëngjillit nga lënda drusore”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Ferizajt.

Komuna thekson se kësaj kompanie i kanë ofruar mbështetje për nevojat e shndërrimit të pronës bujqësore në tokë ndërtimore.

Me kompaninë në fjalë Komuna ka kohë që nuk është në kontakt..

“Janë bërë disa muaj që kjo kompani nuk ka kontaktuar me Komunën e Ferizajt dhe nuk dimë asgjë për të. Numrat kontaktues që i kishim në dispozicion nuk funksionojnë më”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Komunës së Ferizajt.

Prandaj, premtimi i kryetarit Muharrem Svarqa më 6 shkurt të vitit të kaluar gjatë vizitës së ish-presidentes Atifete Jahjaga ka mbetur vetëm një premtim.

Ish-presidentja e vendit gjatë asaj vizite në Ferizaj kishte bërë thirrje për qytetarët e Kosovës që të mos e lëshojnë vendin, duke thënë se “Ikja nuk është zgjidhje”.

Jahjaga kishte zgjedhur Ferizajn në kuadër të një fushate për vetëdijësimin e qytetarëve të kësaj ane, të cilëve u kërkohej mos të braktisnin vendin në kërkim të një jetë më të mirë sepse atë mund ta kenë edhe në Kosovë.

http://kallxo.com/jahjaga-ikja-nga-kosova-nuk-eshte-zgjidhje/