Tryeza e organizuar nga Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së - Foto: KALLXO.com

Demolli: Ligji për Familjen që aplikohet në Kosovë është i vitit 1974

Ligji për Familjen, i cili përdoret sot në Kosovë, është hartuar në vitin e largët 1974 dhe ai ka nevojë për ndryshime sepse ka boshllëqe që po e favorizojnë burrin në rastet e shkurorëzimit.

Kështu u tha në tryezën e organizuar nga Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së, ku temë diskutimi ishte “Iniciativa për ndryshimin e Ligjit për Familjen: Të drejta të barabarta gjinore apo barazi ekonomike?”.

Adelina Berisha nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës tha se numri i grave që kanë deklaruar se kanë përjetuar dhunë ekonomike në familjet e tyre ka arritur në 68 për qind.

Ajo tregoi që mendimi i grave nuk merret parasysh kur bëhet fjalë për shpenzimin e buxhetit të familjes.

“Mbi 68 për qind e grave në Kosovë janë deklaruar se kanë përjetuar dhunë ekonomike, 3.7 për qind thonë se familjarët e tyre nuk i lejojnë me punu jashtë shtëpisë, 3.2 për qind kanë thënë se familjarët kanë refuzuar t’u japin para kur kanë pasur nevojë. Gratë nuk kanë vendimmarrje se ku të shpenzohet buxheti i familjes. Luljeta Aliu ka vendosur që ta plotësojë Ligjin për Familjen”, tha Berisha.

Ndërsa Luljeta Aliu nga organizata joqeveritare “Inject”, tha se bazuar në raportet e Rrjeti të Grave dhuna fizike në familje është e pranishme deri në 40.9 për qind mirëpo siç thotë ajo kjo përqindje nuk është reale sepse ka shumë gra që asnjëherë nuk i kanë paraqitur rastet e tyre.

Ajo insistoi që gjyqtarët nuk po vendosin drejt në rastet e ndarjes së pasurisë sepse po i japin të drejtë zakonisht burrave meqenëse ata gjatë martesës kanë punuar me pagë ndërsa gratë jo.

“40.9 për qind është dhuna fizike në familje, në ato raste të raportuara e shpeshherë nuk guxojnë të raportojnë se kur kthehet gruaja në shpi e pëson më keq. Viktima duhet me u kthy të një person i dhunshëm d.m.th. shifra reale e dhunës në familje është më e lartë se 40%. Përdoret një hapësirë ligjore për me argumentu kundër të drejtave të grave në ndarjen e pasurisë. Neni 47 thotë se bashkëshortët janë pronarë të barabartë në pjesë të barabarta, në pikën 1 pasuria është e fituar me punë. Në gjykatë kur ka ardhë puna me nda pasurinë është vendosur qe t’i ndahet pasuria atij që ka punuar me rrogë, ndërsa kontributi i gruas në shpi nuk është vendosur si 50%. Ligji për familjen në vende të tjera nuk e bën dallimin në mes kontributit dhe punës. Ky vend nuk ka me ndryshu nëse gratë nuk i kanë të drejtat në pronë se s’kanë me mujtë me marrë pjesë as në politikë e as në biznese”, tha Aliu.

Udhëheqësja e organizatës “Inject” kishte kërkuar që në Ligjin për Familjen në nenin 47 të shtohet edhe një pikë e cila kërkon që kontributi i bashkëshortëve të konsiderohet i barabartë, në mënyrë që të mos ketë dallim mes punës që paguhet me të ardhura dhe punës në shtëpi.

Abdulla Aliu, ekspert i Ligjit për Familjen në projektin për Kodin Civil të Kosovës, të mbështetur nga Bashkimi Europian, tha se Ligji i Familjes nuk e mbështet vetëm njërën gjini, mirëpo te rastet e shkurorëzimit ai tha se nuk është pro përdorimit të fjalës kontribut.

“Ligji i Familjes nuk e prek njërën gjini por bashkëshortët dhe fëmijët. Nëse dy vetë punojnë, prej momentit që lidhin martesë është pronësi e përbashkët, e ligji thotë se është e barabartë mes bashkëshortëve. Gjykatat e kanë bërë vlerësimin se sa është kontributi i njërit dhe tjetrit. Nëpër fakultete juridike i pyesim studentët për cilin variant jeni dhe ata thonë për variantin e ri por duhet të rregullohet që të mos kemi shkelje, nëse përdoret fjala kontribut”, ka thënë Aliu.

Ai më tej tregoi se ekzistojnë tri sisteme të kontributit që mund të përdoren. I pari tregon se kush dhe sa ka kontribuar personalisht dhe se ai kontribut i takojnë atij. I dyti thotë se kontributi është i barabartë dhe thuhet se nëse bashkëshortët nuk merren vesh, atëherë vendos gjykata dhe sistemi i tretë i ndarjes së pronësisë thotë se pasuria ndahet në bazë të gjendjes së bashkëshortëve, e kjo nënkupton se cili është më i varfër i ndahet më shumë.

Profesori dhe eksperti i Ligjit për Familjen propozoi që të fillojë aplikimi i nënshkrimit të një kontrate paramartesore më të cilën të dy bashkëshortët do ta mbajnë pasurinë e arritur deri në atë ditë ndërsa atë që arrihet pas martesës, në rast të shkurorëzimit të ndahet e barabartë. Ndërsa, me rastin e vdekjes së njërit nga bashkëshortët atëherë gjysma e pasurisë shkon tek i gjalli.

Kurse, Luljeta Demolli, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, tha se Ligji për Familjen i cili zbatohet në Kosovë është ligj që daton nga viti 1974, prandaj edhe duhet ndryshuar shumë dispozita ligjore në të.

Sipas saj, zbatuesit e ligjeve në Kosovë nuk po janë të drejtë dhe neutralë në marrjen e vendimeve kur bëhet fjalë për shkurorëzim sepse në raste të ngjashme po merren vendime të ndryshme.

“Kryesisht përmbajtja e Ligjit të Familjes është prej 74-ës dhe mendoj që koncepti neutral gjinor do të duhej të qëndronte sepse flet për një barazi në të drejta. Barazia duhet të fillojë nga familja. Ligji është i tejkaluar në kuptimin se duhet të ndryshonte pak më shumë dhe nuk është i harmonizuar në Kushtetutën e Kosovës. Ligji i punës që po vjen do të duhej të avanconte sepse nëse e vendosim në këtë ligj pushimin për baballarë do të ndaheshin punët dhe shteti do të kontribuojë në aspektin e familjes. Zbatuesit e ligjeve në Kosovë kryesisht janë burra dhe janë patriarkalë. Ende ka paqartësi për një grua kur do të shkojë drejtë divorcit se a do t’i takojnë fëmijët sepse zbatuesit e ligjit po marrin vendime të ndryshme.”, tha Demolli.

Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, tha se Ligji për Familjen ka kaluar në leximin e parë në Kuvend mirëpo kjo nuk nënkupton se nuk mund të paraqiten probleme gjatë leximit të dytë.

“Problemi kryesor fillon te zbatueshmëria e tyre dhe arbitrariteti në vendimmarrje sepse i lejohet ndonjë instance gjyqësore të jetë arbitrar dhe dhuna në familje ajo fizike është shumë e ndërlidhur me atë ekonomike sepse i nënshtrohet për shkak të ekonomisë. 12% të grave janë të punësuara nga numri i grave që prijnë me përgatitje. vetëm 4% të grave kanë prona në emrin e tyre dhe 18 % të grave janë aktive dhe kërkojnë punë mirëpo pjesa e tjetër kanë humbur shpresën. Gruaja nuk është e barabartë kur vjen puna të divorci sepse gruaja nuk ka vend pune dhe s’ka asgjë as te baba e as te burri”, tha Mulhaxha-Kollçaku.

I pyetur nga publiku se a i ka ndarë pjesën që i takon motrave nëse ka apo vajzave, eksperti i Ligjit për Familjen, Abdulla Aliu tha se motra e tij nuk ka marrë pjesë në ndarjen e trashëgimisë, ndërsa vajzat e tij ende nuk janë futur në proces por do t’ua ndajë pjesën që u takon.