Alban Zeneli, Asistent në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës

Dega e Gazetarisë në UP bëhet me laborator medial

Departamenti i Gazetarisë në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, sot inauguroi laboratorin medial, i cili do t’u shërbejë studentëve të këtij departamenti.

MediaLab është studio e cila është dhuruar si donacion nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Asistenti i departamentit të Gazetarisë, Alban Zeneli ka thënë se laboratori është një studio e re televizive që do t’u shërbejë disa lëndëve në Degën e Gazetarisë.

“Këtë hapje po e bëjmë në kohën kur veç është hap konkursi për studentë të ri dhe puna praktike do të jetë në nivele më të larta. Ky laborator është grant nga ambasada amerikane dhe u jemi gjthmonë mirënjohës për faktin se miqtë e vërtetë ndihmojnë me gjëra shumë të vlefshme”, ka thënë ai.

Rektori i UP-së, Marjan Dema deklaroi se ndjehet i lumtur që Ambasada Amerikne mundësoi inaugurimin e një laboratori të rëndësishëm për studentët e UP-së.

“Studentëve të rinj u uroj mirëseardhje në këtë ambient dhe uroj që të dalin gazetarë të përgatitur që të plotësojnë një shtyllë të demokracisë. Mendoj se është mbështetje e qëlluar sepse nga UP dalin shumë kuadro të mira dhe jo vetëm të gazetarisë”, tha Dema.

Reymond Welsch, zyrtar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës tha se ky laborator është jetik për studentët e gazetarisë.

“Të pasurit një laboratorë të tillë është e rëndësisë jetike për përgatitjen profesionale. Presim zhvillimin e studentëve dhe realizimin e projekteve”, tha ai.

Veronë Selimi, studente e vitit të dytë në degën e Gazetarisë, thotë se MediaLab ka rëndësi të veçantë për të si studente.

“Ky laborator do të na mundësojë që të bëjmë praktikë sidomos për lëndën e Radiogazetarisë dhe Gazetarisë Televizive”, tha Selimi.