Autoriteti i Konkurrencës kërkon rishikimin e kritereve për dhënien e kiosqeve në Prishtinë

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës në mbledhjen e saj të sotme ka reaguar në lidhje me ankadin për dhënien e kiosqeve në Komunën e Prishtinës.

Ankandi tashmë i pezulluar nga Komuna e Prishtinës, kishte pasur kriter që ofertuesi të ketë  5 milionë euro qarkullim për tri vitet e fundit dhe një numër të caktuar të dyqaneve.

AKK ka kërkuar që të rishikohen kushtet dhe kriteret e përcaktuara.

“Autoriteti Kosovar i Konkurrencës rekomandon Komisionin Vlerësues të Ofertave për Dhënien në Shfrytëzim të Pronës së Paluajtshme në Komunën e Prishtinës, i caktuar me Vendimin 01-020/04-194122/18, të datës 08.08.2018 nga Kuvendi i Komunës së Prishtinës, të rishikoj kushtet dhe kriteret e përcaktuara në Njoftimin Publik, të datës 15.06.2019, për Dhënien e Pronës së Paluajtshme, në Shfrytëzim Afatshkurtër për Periudhën 15 vjeçare, për qoshqe”, thuhet në njoftim për media.

Tutje Autoriteti ka konstatuar se çdo kufizim ligjor apo faktik përmes kushteve dhe kritereve të caktuara për operatorët të cilët janë potencial për tu angazhuar në një veprimtari në një treg të caktuar nuk është e dëshirueshme, në zbatim të politikave të Konkurrencës.

“Komisioni i lartcekur në paragrafin (I) të këtij dispozitivi, duhet të ofroj kushte të barabarta për transaksione të njëjta për operatorët ekonomik, duke i vendosur të njëjtët në gjendje të favorshme konkurruese përmes mekanizmave ligjorë”, përfundon njoftimi.

Kuvendi Komunal i Prishtinës ditë më parë ka vendosur për pezullimin e ankandit për kiosqe pas protestave që shfrytëzuesit e deritanishëm të kiosqeve kishin bërë lidhur me këtë ankand.

Misteri i 5 milionëshit për kiosqet e Prishtinës