Mbledhja e Asamblesë Komunale së Prishtinës

Misteri i 5 milionëshit për kiosqet e Prishtinës

Ndonëse tenderi për ndërtimin e objektit të Akademisë së Drejtësisë nga Ministria e Administratës Publike (MAP) në vlerë prej 2.5 milionë euro dhe tenderi për zgjerimin e rrugës Gjilan-Bujanoc i Ministrisë së Infrastrukturës në vlerë prej 4.2 milionë euro nuk kanë të bëjnë fare me ankandin publik të Komunës së Prishtinës  për “Kiosqet”, ajo çka i bën bashkë këto tri aktivitete është kriteri i qarkullimit prej 5 milionë euro në tri vitet e fundit.

Në mesin e muajit që shkoi, Komuna e Prishtinës publikoi thirrjen për dhënien e pronës së paluajtshme të komunës për shfrytëzim për qoshqe, me lokacione sipas planit.

Në njoftimin e publikuar nga Komuna e Prishtinës, e cila qeveriset nga Shpend Ahmeti, ankandi përfshinë 36 qoshqe të ndara në tri llote.

Në lotin e parë përfshihen qoshqe me sipërfaqe prej 9 metrave katrorë,  pastaj qoshqe me sipërfaqe prej 11 metrave katrorë, dhe në llotin apo pjesën e tretë bëjnë pjesë qoshqe me sipërfaqe prej 18 metrave katrorë.

Sipas njoftimit, afati i dhënies në shfrytëzim të qoshqeve ishte prej 15 vjet. Ky ankand parashihte një çmim fillestarë prej 10 euro për metër katror.

“Veprimtaria që do të ushtrohet është shitja e pijeve, produkteve të duhanit, gazetave, produkteve ushqimore të paketuara dhe të ngjashme. Përzgjedhja e fituesit bëhet në bazë të çmimit më të lartë të ofruar në ankand publik“, thuhej në thirrjen e komunës.

Por cilat ishin kriteret problematike, të cilat quan në anulimin e këtij vendimi nga ana e Kuvendit Komuna?

Komuna kishte kërkuar qarkullim 5 milionë euro për ofertuesin për tri vitet e fundit dhe një numër të caktuar të dyqaneve

“ 3 (tri) vite operim profitabil të dokumentuar përmes pasqyrave financiare të verifikuara nga një auditor i certifikuar apo një auditor i licencuar i pavarur; Të hyra/qarkullim prej 5 milionë Euro ose më shumë në 3 vitet e fundit (2015-2018),- Rrjet tregtar prej min 5 dyqaneve (marketeve) të shitjes me pakicë të produkteve ushqimore dhe produkteve të tjera në territorin e Komunës së Prishtinës”, thuhej në mes tjerash në kërkesat e Komunës.

Sipas Ligjit Nr.04/L-014 për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditimit, Bizneset që duhet të auditohen nga firmat ligjore ose Auditorë ligjorë, janë bizneset të cilat kanë një qarkullim mbi 2 milionë deri në 4 milionë euro, pasuri bruto në bilancin e gjendjes mbi 1 milionë euro me një numër të punësuarve prej 10 deri në 50 të punësuar.

Më tej në njoftim e Komunës thuhej që fituesi obligohet të ndërtojë qoshqet me shpenzime të veta sipas projektit të propozuar nga komuna si për nga ana teknike dhe grafike.  Vendosja e qoshqeve do të bëhej nga ana e fituesve sipas planit të miratuar nga Komuna.

Me këtë të fundit pajtohet Xhelal Ismaili, pronar i njërës prej kioskave. Ai thotë se ata janë të gatshëm të paguajnë ndërtimin e kiosqeve të reja.

“Ne e pranojmë kushtin për vetëfinancim për ndërrimin e kioskave të reja sipas planit dhe në pikat e caktuara nga Drejtoria e Urbanizmit në Prishtinë”, thotë Ismaili.

Ai më tej shtoi se përfitues i kioskës ka qenë që nga vite e 80-ta.

“Ne prej vitit ‘87-88 kemi qenë përfitues nga komuna e Prishtinës dhe kemi qenë tatimpagues të rregullt. Familjarisht kemi punu në kioskë që nga vitet ‘87-88. Para luftës kemi qenë 5 anëtarë, ndërsa tash jemi 10 anëtarë dhe e gjithë familja jemi të varur prej kioskës”, thotë Ismaili.

Ismaili shprehet se mbi 200 anëtarë të  familjeve janë të varur nga puna në kioska.

“Për 3 muaj kemi paguar shumën 37.5 euro. Ndërsa një pjesë e pronarëve të kioskave janë me raste sociale. Dhe kjo gjë duhet të trajtohet, çka kanë me bo ata, ku kanë me shku? Dhe të paktën 70 deri në 80 punëtorë punojnë nëpër kioskat e Prishtinës dhe rreth 200 anëtarë të familjeve ushqehen prej kioskave, nga 36 të tilla që janë gjithsejtë”, shprehet ai.

Tutje Komuna me tenderin për kiosqe parashihte obligime edhe për punësime për ata që ofertojnë në këtë ankand, i cili u anuluar nga Asambleja e Komunës.

“Fituesit obligohen të punësojnë 11 persona (shfrytëzues aktual të kiosqeve ) dhe 9 persona me nevoja të veçanta, sipas listës të ofruar nga komuna, të shpërndarë në 3 lote, në mënyrë proporcionale. Të drejtat dhe obligimet e palëve do të rregullohen me kontratë të veçantë të lidhur në mes të Komunës dhe fituesit (shfrytëzuesit të pronës së paluajtshme të komunës)”, kërkonte komuna nga ofertuesi.

5 milionëshi i mistershëm dhe dyshimi për manipulim

Zyrtarja për media nga Komuna e Prishtinës Miranda Mullafazliu  ka thënë se kriteret e tenderit i kishte vendosur komisioni vlerësues.

Kush ishin pjesë e Komisionit Vlerësues të këtij tenderi/ankandi?

vendimin e Komunës së Prishtinës, lidhur me themelimin e Komisionit Vlerësues, thuhet se komisioni përbëhej prej 7 anëtarëve: Muhedin Nushi, Bashkim Beha, Genc Bashota, Migjen Shala, Shefki Gashi, Ardian Olluri dhe përfaqësuesi nga shoqëria civile Allen Meta.

Por për dallim nga ajo që thuhet në vendim del diçka tjetër.

Migjen Shala, asamblist nga radhët e PDK-së në komunën e Prishtinës, i cili ka qenë edhe anëtar i Komisionit Vlerësues të ofertave, në një përgjigje për KALLXO.com, ka thënë se në mbledhjet e Komisionit nuk është diskutuar fare për kriterin prej 5 milionë eurove.

“Sa kam qenë unë pjesë e Komisionit, aty nuk është diskutuar fare për kriterin e 5 milionë eurove. Unë nuk e di nga ka ardhë ai kriter. Ndoshta Komisioni ka vendosur në mënyrë të fshehtë dhe prapa shpinës”, ka thënë Shala.

Ai ka deklaruar se ka dhënë dorëheqje nga Komisioni dhe se dyshon në manipulimin e procesit të tenderit nga qeverisja lokale, për të eliminuar bizneset e vogla dhe favorizimin e kompanive të mëdha.

Në anën tjetër, Allen Meta, i cili në dokumentin e komunës së Prishtinës figuron si anëtar i Komisionit, si përfaqësues nga shoqëria civile, ka thënë se nuk ka qenë pjesë e Komisionit, pasi e ka refuzuar ftesën nga Komuna.

“Unë kam marrë ftesë nga Komuna e Prishtinës që të jem pjesë e Komisionit si përfaqësues nga shoqëria civile, por kur e kam pa që kam qenë vetëm unë nga shoqëria civile, e kam refuzuar ofertën, pasi nuk kam dashtë ta marrë gjithë barrën i vetëm”, ka thënë Meta në përgjigjen e tij për KALLXO.com.

Edhe anëtari tjetër i Komisionit nga radhët e LDK-së, Shefki Gashi, e ka konfirmuar se në mbledhjet e Komisionit nuk është diskutuar fare për kriteret, e sidomos për kriterin e 5 milionë eurove.

“Jo në Komision nuk është diskutu ai kriter. Aty thjesht është diskutu çështja urbanistike e planit, projekti dhe kaq. Aty është diskutu vetëm për kritere teknike, nuk është fol për asgjë tjetër. Kriterin ndoshta e ka bo Drejtoria, sepse ne kemi kërku që në tender të përfshihen këta që i shfrytëzojnë kiosqet. Ata na kanë thënë se është kundër ligjit sepse bëhet diferencim i komunitetit”, ka deklaruar Gashi.

Ai gjithashtu e ka konfirmuar se në Komision nuk ka qenë asnjë përfaqësues nga shoqëria civile.

Protestat që pezulluan vendimin e Komunës

Menjëherë pas shpalljes së këtij ankandi. Komuna është përballur me protesta. Pronarët e 36 kioskave në Prishtinë për të cilat ishte shpallur ankandi protestuan para dyerve të Komunës. Me pankarta në duar, protestueseve  iu  lejua të futeshin në sallën e Kuvendit të Komunës.

Në mbledhjen e datës 5 korrik, në Asamblenë e Kuvendit të Komunës së Prishtinës ishte kundërshtuar shpallja e këtij ankandi nga të gjitha grupet e partive, duke kërkuar kështu që kjo thirrje të vlerësohet edhe një herë apo të pezullohej.

Me gjithsejt 43 vota për, asnjë kundër dhe  një abstenim Kuvendi Komunal i Prishtinës e pezulloi vendimin e komunës së Prishtinës për dhënien e “kiosqeve”.

Për të marrë vesh më shumë lidhur me këtë shpallje të komunës, KALLXO.com përmes telefonit ka kontaktuar me Komunën e Prishtinës, mirëpo nuk ka pranuar përgjigje me arsyetimin se zyrtarët kompetent janë në pushim vjetor.

Por sikur ky vendim të mos pezullohej nga Kuvendi i Komunës, bizneset e vogla vështirë se do të kishin mundur ta plotësonin këtë kriter.

Nënkryetari Sadudin Ahmeti kishte deklaruar në media se qarkullimi mujor i një kioske është rreth 3 mijë euro.

Sipas kërkesës së komunës për qarkullim prej 5 milionë euro për tri vitet e fundit që mesatarisht i bie 1.6 milionë euro në vit dhe deklarimeve të Sadudin Ahmeti qarkullimit mujor prej 3 mijë eurove në muaj atëherë i bie se arrihet të plotësohet vetëm 2.2 për qind e kriterit.

Sipas deklarimeve të nënkryetarit Sadudin Ahmeti, qarkullimi vjetor rezulton të jetë rreth 36 mijë euro në vit. Për periudhën tre vjeçare qarkullimi arrinte vlerën e 108 mijë eurove apo 2.2 për qind të shumës prej 5 milionë eurove.