![](https://kallxo.com/wp-content/uploads/gjnk/path/Ministria-e-Shendetesise_935440.gif)
Arrestohen dy drejtorë të Financave të Ministrisë së Shëndetësisë
Dy drejtorë të Financave të Ministrisë së Shëndetësisë janë arrestuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, nën dyshimin për përvetësim në detyrë dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Policia ka njoftuar se i dyshuari H.D, 54 vjeçar, në cilësinë e U.D. drejtorit të Financave në Ministrinë e Shëndetësisë dyshohet se duke mos përmbushur autorizimet e tij ligjore gjatë vitit 2017 dhe 2018 në raport me tërheqjet e avancave për udhëtimet jashtë vendit për zyrtaret e AKPM-së, të cilat mjete dyshohet se janë tërhequr për udhëtimet zyrtare që nuk kanë ndodhur fare, pra janë fiktive dhe për te cilat nuk ekziston dokumentacion përkatës që e dëshmon arsyen e tërheqjeve.
Policia ka njoftuar se shuma e keqpërdorimit për vitin 2017-2018 është 132 mijë e 245 euro.
Ndërsa i dyshuari i dytë, M.R, 66 vjeçar, në cilësinë e drejtorit të Financave në Ministrinë e Shëndetësisë në periudhën 2014-2017 dyshohet se ka vepruar në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare duke lejuar tërheqjen e avancave për udhëtime jashtë vendit për zyrtaret e AKPM-së e të cilat udhëtime nuk kane ndodhur fare dhe tërheqja e mjeteve është lejuar në kundërshtim me ligjin dhe pa dokumentacion përkatës.
I njëjti për periudhën 2014- 2017 ka keqpërdorur 1 milion e 170 mijë e 854 euro.
Policia ka njoftuar se të gjitha këto tërheqje të mjeteve në emër të avancave të AKPM-së, në kundërshtim me ligjin janë dorëzuar tek i dyshuari M.S. i arrestuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion më 28 mars të këtij viti.
Pas intervistimit personat e dyshuar me aktvendim të prokurorit janë dërguar në ndalim për 48 orë.