Albin Kurti në fushatë - Foto: Facebook

Albin Kurti Shpall Kandidaturën, Deputeti e Mbështet për ta Drejtuar VV-në

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka zyrtarizuar synimin për t’u kthyer në krye të kësaj partie, pozitë që e kishte dorëzuar tri vjet më parë te kryetari aktual Visar Ymeri.

Mandati i Visar Ymerit në krye të partisë skadon muajin e ardhshëm.

KTV ka raportuar sonte se Kurti i ka shkruar Komisionit Zgjedhor të Vetëvendosjes për ta shpallur kandidaturën e tij ndërsa ka autorizuar dy deputetet e VV-së, Albulena Haxhiun e Fitore Pacollin, për mbledhjen e nënshkrimeve të nevojshme për kandidaturë meqë vetë gjendet në paraburgim.

Një deputet tjetër i Vetëvendosjes, Arbër Rexhaj, e ka mbështetur kandidaturën e Kurtit duke thënë se sot “Kosova dhe Vetëvendosje kanë nevojë për Albin Kurtin”.

“Në kryqëzimin e rrezikshëm në të cilën gjendet Republika Jonë, sot më shumë se kurrë, Kosova ka nevojë për Lëvizjen Vetëvendosje. Ka nevojë për organizimin tonë në mbrojtje të shtetit, duke e mbrojtur atë edhe nga pushteti dhe lojërat e pista që bëhen për të shpëtuar veten dhe pashallëqet personale. Por po aq sa Kosova ka nevojë për Vetëvendosjen, sot Vetëvendosje ka nevojë për Albinin”, ka shkruar Rexhaj në Facebook.

“Jo për Albinin lider të padiskutueshëm (si lëvizje ne jemi rebeluar kundër krejt atyre që mendonin se janë të padiskutueshëm), jo për Albinin si mit (si lëvizje ne jemi rebeluar kundër të gjithë atyre që mitizuan veten deri në hyjni), por për Albinin që na motivon, na frymëzon, na bashkon, që na udhëheq me shembullin e vet, që është me ne edhe atëherë kur nuk pajtohemi me të”, shtoi Rexhaj.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje është ngritur mbi vizionin e Albinit “në të cilin kemi besuar edhe atëherë kur ishim veç një grusht djemsh dhe vajzash të reja dhe shpërfilleshim nga të gjithë”.

“Sot, Lëvizja Vetëvendosje është rritur, është bërë e madhe dhe po kalon nëpër sfidën më serioze të maturisë së vet politike dhe organizative. Në këtë udhëkryq të rritjes sonë, lëvizja përsëri ka nevojë për Albinin, për ta në udhëhequr që ta përballojmë këtë sfidë të pjekurisë sonë, të na bashkojë përsëri, në mënyrë që të mos biem në grackat në të cilat kanë rënë dhe kanë dështuar të gjitha partitë tjera”, tha ai.

Javëve të fundit, Vetëvendosje është përfshirë në polemika të brendshme të cilat çuan në ndarjen e figurave drejtuese të partisë në dy grupe.

Lëvizja ‘Tektonike’ e Vetëvendosjes