Vaksina Chikungunya: SHBA e miraton vaksinën e parë kundër virusit të transmetuar nga mushkonjat

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave, FDA, e ka miratuar vaksinën e parë në botë për chikungunya, të cilën e sheh si një “kërcënim global shëndetësor në zhvillim”.

Sëmundja e shkaktuar nga mushkonjat shkakton ethe dhe dhimbje kyçesh dhe mund të jetë fatale për të sapolindurit.

Miratimi i FDA-së pritet ta përshpejtojë përhapjen globale të vaksinës.

Këtë vit, rreth 440,000 raste chikungunya, përfshirë 350 vdekje, janë raportuar që nga muaji shtator.

Aktualisht nuk ka asnjë ilaç specifik për ta trajtuar chikungunya. Amerika e Jugut dhe Azia Jugore janë përballur me numrin më të madh të rasteve këtë vit.

Vaksina e quajtur Ixchiq është miratuar për ata të moshës 18 vjeç e lart dhe janë në rrezik të lartë të kontraktimit të sëmundjes, ka thënë FDA të premten. Vaksina është zhvilluar nga Valneva e Evropës dhe do të administrohet me një injeksion të vetëm.

“Infeksioni me virusin chikungunya mund të çojë në sëmundje të rënda dhe probleme të zgjatura shëndetësore, veçanërisht për të moshuarit dhe individët me kushte themelore mjekësore”, ka deklaruar zyrtari i lartë i FDA, Peter Marks.

Të paktën pesë milionë raste chikungunya janë raportuar që nga viti 2008, sipas FDA. Simptoma të tjera përfshijnë skuqje, dhimbje koke dhe dhimbje muskulore. Dhimbjet e kyçeve mund të vazhdojnë për muaj apo edhe vite.

Njerëzit në rajonet tropikale dhe subtropikale të Afrikës, Azisë Juglindore dhe pjesëve të Amerikës janë në rrezikun më të lartë të infeksionit sepse mushkonjat që e bartin virusin chikungunya janë endemike në këto zona.

“Megjithatë, virusi chikungunya është përhapur në zona të reja gjeografike duke shkaktuar një rritje të përhapjes globale të sëmundjes,” sipas FDA.

Të dhënat nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve treguan se Brazili ka pasur numrin më të madh të rasteve deri më tani këtë vit me 218,613.

Më shumë se 93,000 raste janë raportuar gjithashtu në Indi, në kryeqyteti Delhi që pati një shpërthim të madh në vitin 2016./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala