Ngjarja e bamirësisë “Let’s Dance” synon blerjen e pajisjeve mjekësore për foshnje

Blerja e pajisjeve të specializuara mjekësore për foshnje është këtë vit fokusi i ngjarjes tradicionale të bamirësisë “Let’s Dance”, njofton “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë”.

Let’s Dance ka për mision mbledhjen e fondeve për të siguruar medikamente dhe pajisje mjekësore për foshnjet e lindura para kohe dhe që vuajnë nga sëmundje të ndryshme, si dhe mundësi për shërbime shëndetësore dhe edukative në përkrahje të nënave dhe familjeve të këtyre foshnjeve”, thuhet në njoftimin e AMC-së.

Sipas tyre këtë vit, ngjarja e organizuar nga Fondacioni “Action for Mothers and Children” shënon pesë vjetorin e saj.

Si çdo vit, fondet sigurohen nga sponsorët dhe shitja e biletave dhe 100% e tyre do të shkojnë në blerjen e pajisjeve mjekësore”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit për të dhënë përkrahjen tuaj, mund të zgjidhni një nga paketat e sponsorizimit apo të blini për vete dhe për miqtë tuaj biletën për ngjarjen bamirëse Let’s Dance që mbahet me 24 tetor 2019 në Sheshin 21 në Prishtinë, duke filluar nga ora 19:30.