Ilustrim - Foto: KALLXO.com

Nga nesër testet rapide në kryeqytet bëhen shtatë ditë në javë

Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Bujar Gashi, ka njoftuar se të gjithë qytetarët në Prishtinë nga nesër do të mund t’i bëjnë testet rapide për coronavirus gjatë shtatë ditëve të javës.

Stafi shëndetësore do të kryej testime rapide apo të shpejta për qytetarët e dyshuar për coronavirus në Qendrën e Studentëve duke filluar nga ora 08:00 deri në orën 18:00.

“Ky vendim është marrë në përgjigjje të rritjes së numrit të qytetarë që kërkojnë të testohen me testet rapide antigjenike”, ka shkruar Gashi në facebook, duke shtuar se dje janë kryer 403 testime.

Kryeqyteti ka më së shumti raste aktive me SARS-CoV-2 në nivel vendi në krahasim me vendet tjera, 2 mijë e 614 të tillë. Përderisa në nivel vendi janë  5 mijë e 678 raste aktive me coronavirus.

Rastet e infektimit janë rritur gjatë javëve të fundit dhe nga të dhënat e përditshme të Ministrisë së Shëndetësisë raportohet se Brenda 24 orëve mbi 700 qytetarë rezultojnë të infektuar me virusin corona nga testimet e bëra në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Coronavirusi ka preku mbi 167 mijë qytetarë, përderisa rreth 3 mijë prej tyre kanë vdekur.