Foto: REL

Kosovë, gjashtë të prekur me COVID-19 vdesin brenda 24 orëve

Gjashtë persona kanë vdekur si pasojë e infeksionit gjatë 24 orëve të fundit në vend.

Në mesin e të vdekurve është edhe një 55 vjeçar nga komuna e Obiliqit.

“Brenda 24 orëve janë raportuar 6 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Deçan 1 rast (80 vjeç), Fushë-Kosovë 1 rast (70 vjeç), Mitrovicë 1 rast (76 vjeç), Obiliq 1 rast (55 vjeç), Podujevë 1 rast (56 vjeç), Vushtrri 1 rast (72 vjeç)”, thuhet në njoftim.

IKShPK gjithashtu ka njoftuar se brenda 24 orëve në vend janë regjistruar edhe 320 raste pozitive me SARS-CoV-2.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.