Ilustrim

Këto janë gjobat e parapara për mosrespektimin e masave për mbrojtjen nga sëmundjet ngjitëse

Tre ditë pasi në Kosovë u shfaq rasti i parë me coronavirusin COVID-19, Qeveria e Kosovës shpalli gjendjen emergjente.

Deri më tani në vend janë konfirmuar nëntë raste të infektuara, në komunat e Vitisë, Malishevës, Klinës dhe Podujevës.

Që nga java e kaluar, qeveria ka prezantuar disa masa mbrojtëse që përfshijnë udhëzime dhe detyrime për qytetarë dhe biznese për të evituar shpërndarjen e mëtejme të virusit.

Kosova ka një ligj me të cilin parashihet parandalimi dhe luftimi i sëmundjeve ngjitëse.

Me qëllim të luftimit të sëmundjeve ngjitëse ligji i ka paraparë disa masa mbrojtëse që duhet të respektohen  nga qytetarët.

Këto masa janë : Ndalimi i udhëtimit në vendin ku është përhapur epidemia apo virusi, ndalimi i qarkullimit në rajonet e prekura nga virusi dhe kufizimi i qarkullimit të mallrave dhe produkteve.

Përpos këtyre ligji ka paraparë se në luftimin e sëmundjeve ngjitëse përpos institucioneve duhet të marrin pjesë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Në rast të mos zbatimit të këtyre masave mund të ndëshkoheni nga 1 mijë deri në 2 mijë euro ndërsa personat juridik nga 3 mijë deri në 8 mijë euro.

Me këto gjoba mund të ndëshkoheni edhe në rastet kur konstatoni sëmundjen dhe nuk e paraqisni, nuk i zbatoni masat higjienike dhe masat e tjera për mbrojtjen nga sëmundjet ngjitëse.

Nga 250 deri 1 mijë euro mund të ndëshkoheni në rast se refuzoni të izoloheni apo të shtriheni në spital, në rast se vazhdoni të punoni ndonëse jeni i sëmurë me sëmundje ngjitëse.

Nga 1 mijë deri në 2 mijë euro mund të ndëshkoheni në rast se mbani në punë personin i cili ka sëmundje ngjitëse dhe në rast se nuk e zbatoni planin e organeve kompetente.

Personat juridik për këtë ndëshkohen nga 3 mijë deri në 8 mijë euro.

Për tejkalimin situatës emergjente Qeveria e Kosovës ka vendosur ta zbatoje planin e reagimit Kombëtar në lidhje me shëndetësinë.

Ky plan parasheh masat të cilat duhet të ndërmerren me qëllim të tejkalimit të gjendjes emergjente të shëndetit publik.

Plani parasheh se ndihma mjekësore është e nevojshme kudo dhe jo vetëm në spitale apo objekte mjekësore, pra në rastin konkret në të gjitha vendet ku ka qytetar të prekur me virusin Covid-19.

Plani po ashtu parasheh se duhet të ekzistojnë sasi të mjaftueshme mjekësore me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit si dhe parasheh nevojën që të ketë personel të kualifikuar mjekësor.

Plani parasheh edhe sigurimin e vaksinave të cilat do ta shërbejnë për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse.

Sipas planit të reagimit kombëtar të gjitha resurset qendrore nëse kërkohen mund tu vihen në dispozicione të gjitha regjioneve dhe komunave.

Virusi tashmë i shpallur pandemi ka arritur një pikë shqetësuese në javët e gundit ku deri sot ka prekur rreth 170 mijë persona në botë.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit sipas wordometers.info, janë prekur 12 mijë persona. Ndërsa mbi 5 mijë vdekje janë shënuar nga ky virus.

Vendet më të prekura janë Kina dhe Italia.