Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

COVID-19, këto janë gjashtë komunat në zonën e kuqe

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka njoftuar se gjashtë komuna do të jenë në zonë të kuqe në 7 ditët e ardhshme.

“Edhe këtë javë kemi ndryshim në kategorizim të zonave, kemi trend të uljes së infeksionit dhe jemi bashkë të përkushtuar që në vazhdimësi të punojmë. Nga sot e deri më 8 janar, në zonën e kuqe, janë vetëm 6 komuna: Prishtinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq”, ka shkruar Zemaj në profilin e tij në “Facebook”. Qyteteve që janë në zonë të kuqe qytetarëve u ndalohet qarkullimi prej orës 20:00 deri në orën 05:00.

Në zonën e verdhë, sipas ministrit Zemaj janë po ashtu 6  komuna: Mitrovicë e Jugut, Graçanicë, Obiliq, Podujevë, Junik dhe Gjilan.

“Na duhet ende t’i kemi masat në fuqi dhe kategorizim të komunave në bazë të numrit të të infektuarve gjatë javës, për 100.000 banorë”, ka shkruar Zemaj.

Ndërsa, në zonën e gjelbër, janë 26 komuna: Kllokot, Lipjan, Gjakovë, Kamenicë, Ferizaj, Vushtrri, Pejë, Drenas, Skënderaj, Istog, Deçan, Shtërpcë, Klinë, Shtime, Novobërdë, Viti, Prizren, Suharekë, Kaçanik, Rahovec, Malishevë, Hani i Elezit, Dragash, Mamushë, Partesh dhe Ranillug.

Zemaj ka thënë se lakorja e infeksionit është në rënie, andaj ka kërkuar që të respektohen masat.