Ilustrim

Arsyet pse të gjithë po harrojmë tani

Momente të shkurtra e të përkohshme harrese po na ndodhin më shpesh këto ditë, thonë ekspertët mbi kujtesën e njeriut.

Grant Shields po u ligjëronte një seminar kolegji 24 studentëve javën e kaluar kur mendja e tij i shkoi bosh. E kishte harruar emrin e asistentit të tij të mësimdhënies.

“U turpërova”, thotë Dr. Shields, i cili mendoi se dëgjoi studentët teksa qeshin kur tha emrin e gabuar, dhe më pas u përpoq ta rikuperojë gabimin e tij. “Do të doja që kujtesa ime të ishte aq e mirë sa ishte më parë”.

Dr. Shields është 32 vjeç. është një studiues i kujtesës. Dhe atë ditë po ligjëronte para studentëve të tij se si stresi ndikon në të njohurit.

Rastet e shkurtra, të përkohshme të harresës – ato ‘momente të vjetra’ – po na ndodhin më shpesh këto ditë, thonë ekspertët mbi kujtesën. E kemi të vështirë të kujtojmë gjëra të thjeshta: emrat e miqve dhe bashkëpunëtorëve që nuk i kemi parë prej kohësh, fjalë që duhet të na vijnë lehtësisht, madje edhe si të kryejmë veprime rutinë që dikur dukeshin si diçka e zakonshme.

Po jetojmë në një moment tjetër ndryshimi të madh ndërsa kthehemi në zyra, krijojmë rutina të reja dhe gjejmë vetën tonë në një tjetër normalitet të ri. (Dhe mos harroni një luftë të frikshme në Evropë mbi të gjitha.) I gjithë ky ndryshim konsumon energji kognitive (njohëse), shpesh shumë më tepër sesa mendojmë, thonë neuroshkencëtarët. Nuk është çudi që nuk mund të kujtojmë se çfarë kemi ngrënë për mëngjes. Mendjet tona po luftojnë me momentet e tranzicionit.

“Truri ynë është si kompjuterët me kaq shumë skeda të hapura tani”, thotë Sara C. Mednick, neuroshkencëtare dhe profesore e shkencave kognitive në Universitetin e Kalifornisë, Irvine. “Kjo e ngadalëson fuqinë tonë përpunuese dhe kujtesa është një nga fushat që çalon”.

Stresi kronik dhe kumulativ i dy viteve të fundit ka ndikuar në këtë  gjithashtu. Hulumtimi i udhëhequr nga Dr. Shields tregon se njerëzit që kanë përjetuar stresorë të jetës së fundmi e kanë dëmtuar kujtesën. Stresi ndikon negativisht në hapësirën tonë të vëmendjes dhe gjumit, të cilat gjithashtu ndikojnë në kujtesë. Dhe stresi kronik mund ta dëmtojë trurin, duke shkaktuar probleme të mëtejshme të kujtesës, thotë Dr. Shields, asistent profesor në departamentin e shkencës psikologjike në Universitetin e Arkansas.

Vërshimi i informacionit që na vjen në kanale të shumta po na e bën rrëmujë edhe trurin. Jemi të tmerrshëm për t’i kushtuar vëmendje, duke i shfletuar vazhdimisht telefonat tanë ndërkohë qe jemi duke bërë gjëra të tjera, gjë që neuroshkencëtarët thonë se e bën të vështirë kodimin e kujtimeve në radhë të parë. Dhe mund të jetë e vështirë të kujtosh diçka jashtë kontekstit, si p.sh. emri i kolegut që na flet papritmas personalisht, më parë se në Zoom.

Pastaj, ka një ngjashmëri të jetës sonë gjatë pandemisë. Si duhet ta kujtojmë një ngjarje specifike kur çdo ditë ishte saktësisht e njëjtë si çdo tjetër?

“Kujtesa përfiton nga risia”, thotë Zachariah Reagh, neuroshkencëtar kognitiv dhe asistent profesor i shkencave psikologjike dhe trurit në Universitetin e Uashingtonit në St.Louis “Kur të gjitha përvojat tona përzihen së bashku, është e vështirë të kujtosh ndonjë prej tyre si të veçantë”.

Michelle Triant, 39 vjeç, i fajëson dy vitet e prekura nga Covid për arsyen pse kohët e fundit e harroi emrin e pjesës së saj të trupit. Kur vajza e saj 4-vjeçare e pyeti: “Mami, a u rrita në barkun tënd?” Zonja Triant ndjeu të kishte një mundësi për një mësim anatomie dhe filloi të shpjegonte. “Jo, zemër, në fakt, ti u rrite në mua…”. Ajo belbëzoi për një moment, duke shpresuar ta thoshte fjalën e duhur.

Vajza e saj 7-vjeçare e plotësoi fjalinë: “Ajo deshi të thotë mitër”, i tha ajo motrës së saj më të vogël. “Fëmijët rriten në mitrën e nënës, por barku i saj bëhet më i madh dhe kjo është arsyeja pse del të jetë konfuze”.

“Oh, ta kesh kujtimin e një nxënësi të klasës së parë”, thotë zonja Triant, e cila jeton në Spokane Valley.

Kujtesa humb efektin me kalimin e moshës, por shkenca mjekësore nuk është e qartë se kur. Njerëzit plaken kognitivisht me ritme të ndryshme.

Disa studime tregojnë se aftësia e kujtesës arrin kulmin në të 20-at e njerëzve dhe shënon rënie gradualisht prej asaj moshe e tutje; të tjerë sugjerojnë se rënia më e madhe fillon rreth moshës 60-vjeçare, thotë Dr. Reagh. Nëse jeni të shqetësuar për kujtesën tuaj, duhet ta vizitoni mjekun tuaj, veçanërisht nëse njerëzit e tjerë e vërejnë humbjen tuaj të kujtesës.

Ja çfarë rekomandojnë ekspertët për ta rritur kujtesën tuaj.

Mos e mundoni vetën tuaj. Ta detyrosh veten të përpiqesh të kujtosh diçka është kundërproduktive. Do të zhgënjeheni dhe ai zhgënjim pastaj jep mundësinë që pjesa emocionale e trurit tuaj t’i kapërcejë pjesët e trurit tuaj që i rikthejnë kujtimet, thotë Jennifer Kilkus, psikologe shëndetësore klinike dhe asistent profesor i psikiatrisë në Shkollën e Mjekësisë Yale. Merrni ca kohë; merrni frymë thellë për disa herë për ta qetësuar trurin tuaj dhe provoni përsëri më vonë.

Mos provoni t’i bëni shumë gjëra njëkohësisht. Është e vështirë të kujtosh diçka, ose të kujtosh diçka në radhë të parë, kur je duke bërë dy gjëra njëherësh, thotë Dr. Kilkus. Andaj, largojeni telefonin tuaj. (Kjo do të ndihmojë gjithashtu në uljen e mbingarkesës së informacionit.) Provoni të bëni një gjë në një kohë. Kushtojini vëmendje detyrave të vogla që i bëni zakonisht, të tilla si larja e dhëmbëve.

“Kur praktikoni t’i kushtoni vëmendje në ato momente kur nuk ka rëndësi, do të bëhet më e lehtë në ato momente kur ka rëndësi”, thotë Dr. Kilkus.

Ndihmojeni trurin tuaj të qetësohet. Kjo do ta forcojë lobin tuaj ballor, i cili është i përfshirë si në kodimin dhe rikthimin e kujtesës, ashtu edhe në rregullimin e stresit, thotë Dr. Mednick, autor i librit të ardhshëm “The Power of the Downstate”. Dr. Mednick rekomandon meditim të përditshëm, joga ose thjesht frymëmarrje të ngadaltë të thellë për të paktën 10 minuta në ditë. Bëni një shëtitje, mundësisht në natyrë. Lidhuni me një të dashur – bëni një bisedë të gjatë, bëni një përqafim, bëni seks. Intimiteti redukton stresin duke ju bërë të ndiheni të sigurt dhe të kujdesur për të, thotë Dr. Mednick. Dhe bëni gjumë. Kjo i pastron toksinat në trurin tuaj që mund ta bllokojnë përpunimin tuaj mendor, thotë ajo.

Socializohuni. Kushtojani vëmendjen tuaj të plotë njerëzve kur flisni me ta. Të bësh këtë do t’ju ndihmojë të kujtoni më mirë atë që dëshironi të thoni në bisedë – sepse truri juaj nuk do të shpërqendrohet ose mbingarkohet – dhe mbajeni në mend atë që ju thotë dikush, thotë Jeanine Turner, profesoreshë e komunikimit në Universitetin Georgetown.

Pra, përsëri: largojeni telefonin. Fikni televizorin. Dhe me të vërtetë kushtojini vëmendje asaj që thotë i dashuri juaj; mos prisni vetëm radhën tuaj për t’u përgjigjur.

“Ne duhet t’i qasemi çdo bisede qëllimisht”, thotë Dr. Turner. “Nëse nuk kemi një lidhje të thellë, si mund të presim ndonjëherë ta kujtojmë atë që ka ndodhur?”/WSJ