Rexhepi: Buxheti Nuk Është Dëmtuar në Rastin Velija

Qershor 12, 2014 – Ministri Bajram Rexhepi teksa po dëshmon në gjykimin kundër Natali Velijas dhe nëntë personave tjerë, të dyshuar për keqpërdorimin e parave të kompanisë austriake OeSD, tha se buxheti i kosovës nuk është dëmtuar nga ky skandal. 

“Ka pasë spekulime nga mediat se buxheti i Kosovës është dëmtuar 1.4 milionë euro. Kjo nuk është e vërtetë, sepse ne i kemi marrë pasaportat dhe i kemi pagu, por paratë nuk kanë shkuar në destinacion final”, tha Rexhepi. 

Të gjitha obligimet ministria ia ka paguar OeSD-së dhe këtë e ka argumentuar, shtoi më tutje Rexhepi. 

Ministri tregoi se në fund të verës të vitit 2012 është takuar me ambasadorin e Austrisë në Kosovë. 

“Më ka ftuar ambasadori i Austrisë dhe ka shprehur shqetësimin se pagesat në kohën e fundit nuk po shkojnë nëkompaninë OeSD”, vijoi të flasë Rexhepi. 

Edhe drejtori i përgjithshëm i OeSD-së Reinhart Gausterer  kur dëshmoi para një jave në këtë rast tha se ka telefonuar ambasadorin e shtetit të tij për t’ia aranzhuar një takim me Rexhepin. 

Rexhepi tregoi se ambasadori austriak i ka thënë se EULEX-i duhet ta hetojë kontratën me OeSD-në, ndërsa ai në gjykatë tha se edhe vetë ishte i interesuar që kontrata të hetohet. 

Natali Velija shërbente si ndërmjetësuese mes kompanisë austriake dhe OeSD-së. Rexhepi tregoi se ka udhëtuar bashkë me të akuzuarën drejt shtetit austriak. 

“Me Natali Veliajn kemi shkuar në Austri kur ka filluar prodhimi i pasaportave, por nuk e kam ditë se në çfarë cilësie është”, tha Rexhepi. Ai tregoi në gjykatore se sa ka paguar ministria për pasaportat. 

“3.7 milionë janë paguar nëpërmjet nënkontraktorit dhe në fillim nuk ka pasur reagime nga OeSD-ja, por kur kanë filluar të mungojnë paratë e kanë kontestu autorizimin që OeSD-ja ia ka dhënë Natali Veliajt”, shpjegoi Rexhepi. 

Kur dëshmoi Gausterer i OeSD-së tregoi se kompania që drejton ia ka dhënë dy autorizime Natali Veliajt.

Rexhepi tha se ministria ka qenë e hapur ndaj gjykimit 

“Unë i kam obliguar të gjithë zyrtarët që hetuesve dhe prokurorit t’u mundësohet qasje në kontratë, në dokumente, në Departamentin e Prodhimit”, tha Rexhepi. 

Rexhepi tregoi edhe për suspendimet pas plasjes së skandalit. 

“Unë e kam suspendu drejtorin e Agjencisë së Regjistrimit Civil-Camaj, ndërsa suspendimin e drejtorëve të Departamentit të Prodhimit dhe Prokurimit e ka bërë sekretari [i ministrisë]. Unë i kam suspenduar edhe tre këshilltarë për shkak të performancës”, shtoi Rexhepi. 

Blerim Camaj, Besnik Berisha, drejtor i Prodhimit të Pasaportave dhe Agim Fejzullahu, drejtor i Prokurimit në MPB u suspenduan gjatë 2012-ës. Bashkë me ta u suspendua edhe këshilltari politik i ministrit Sedat Gashi, ndërsa një vit më vonë edhe Enver Oruçaj dhe Rafet Rama. 

Më pas gjatë seancës Rexhepi u pyet nga Bajram Tmava, avokati i Natali Veliajt. Tmava i tha Rexhepit se a ka pasur ndikim mungesa e bashkëpunimit mes atyre që janë suspenduar në kontratën me OeSD-në. 

“Indirekt kjo e ka pengu menaxhimin e mirë dhe pergjegjësia ka qenë e shpendarë në mes Zyrës së Prokurimit, drejtorit te Prokurimit dhe Agjencisë së  Shërbimit Civil. Ata  kane pasur qasje direkte në implementimin e kontratës”, tha Rexhepi. 

Kur dëshmoi Gausterer i OeSD-së para një jave u ankua se kjo kompani askund tjetër kur prodhon dokumente sigurie shtetërore nuk paguan doganë, përveç në Kosovë. 

Bajram Tmava e pyeti Rexhepin nëse aktualisht MPB-ja ka kontratë me ndonjë kompani tjetër për prodhimin e pasaportave biometrike dhe nëse kjo kompani paguan taksa dhe doganë. 

Rexhepi tregoi se MPB-ja ka kontratë me kompaninë gjermane “G&D”, ndërsa taksat dhe doganat i paguan ajo, njësoj si në kohën e OeSD-së. 

Bajram Rexhepi, pas ballafaqimit me Tmavën përfundoi dëshminë.

Pas dëshmisë së Bajram Rexhepit dhe pauzës, fjalët e tij si dëshmitar i tha ekonomisti Bashkim Berisha, auditor i Brendshëm në MPB.

Berisha tha se është autorizuar nga sekretari i përhershëm MPB-së që në tremujorin e parë të 2012-ës të përpilojë raportin lidhur me ecurinë e kontratës me OeSD-në. 

Berisha tha se në seancë janë konstatuar vonesa në bazë të fletëdërgsave të mallit dhe afateve të parapara në kontratë, ndërsa tha se ishte përgjegjës vetëm për konstatimin nëse OeSD-ja është duke respektuar afatet sipas kontratës. 

Ekonomisti që auditoi kontratën e pasaportave tha se Natali Velija nuk ka marrë pjesë në asnjërën nga takimet që ai ka mbajtur me zyrtarë të MPB-së për t’i informuar lidhur me respektimin kontratës. 

Berisha tha se në njërin nga këto takime kishte marrë pjesë edhe ambasadori austriak, ndërsa aty ishte kërkuar që pagesat e MPB-së të bëhen direkt në xhirollogarinë e OeSD-së. Kompania sipas Berishës kishte kontestuar pagesat e bëra te përfaqësuesja e tyre në Kosovë Natali Velija.

Seanca do të vazhdojë më 3 korrik.