Prodhime nga lajthitë e arrat Made in Kosova

Pelini’s është kompani e re në Kosovë që për fushë-veprimtari kryesore ka përpunimin e lajthisë dhe frutave tjera arrore. Në Pelini’s bëhet thyerja e pjekja e frutave arrore. Prodhohen gjalpë si ai i kikirikut, lajthisë, bajameve, arrës, arrës indiane, etj. Aty poashtu prodhohet vaj i lajthisë, farës së zezë, bademit, farës chia, farës së kungullit, etj. Miell i lajthisë, thekrës etj. qumësht i bademit, lajthisë, tërshërës, etj. Përvec që prodhohen produkte që bëhen për herë të parë në vendin tonë, shumë produkte prodhohen në pikën e shitjes, aty-për aty, në prezencë të blerësit, që e bën këtë koncept edhe më të veçantë.

Adresa në këtë link

Por si rrodhi ideja për këtë koncept?

Për idenë e Pelini’s, biseduam me pronarin – Ervinin i cili së bashku më gruan e tij kanë studiuar në Norvegji për shkenca zhvillimore dhe mbrojtje të mjedisit. Nga aty ata kanë marrë frymëzimin për të investuar në një veprimtari që ofron të hyra dhe zhvillim të qëndrueshëm për familjet farmere, por edhe që është miqësore me mjedisin.

Ideja në fillim ka qenë vetëm krijimi i një plantacioni me lajthi i cili gjendet në Novobërdë. Gjatë periudhës së rritjes së lajthive kishte lindur ideja për përpunimin e saj, në mënyrë që të dilet në treg me një produkt final cilësor, të freskët dhe të pjekur sipas standardeve europiane. Vitin e kaluar, kjo ide është bashkëfinancuar nga Resi, projekt i përbashkët i Ambasadës Austriake dhe Komunës së Prishtinës.

Ervini tregon edhe se pse vendosën të mbjellin lajthi dhe jo diçka tjetër. Lajthia, sipas tij ka shumë përparësi. E para është jetëgjatësia: lajthia mbillet njëherë dhe jeton deri në 100 vjet, që e bën lajthinë edhe më miqësore me mjedisin. Pastaj pozicioni i vendit tonë është i përshtatshëm për kultivim të lajthisë. Të tjera përparësi janë që lajthia ka përdorim të gjerë (si për shembull për konsum por edhe për produkte kozmetike), është produkt me treg të sigurtë e çmim të mirë. Krejt në fund, veprimtari si kjo krijojnë mundësi punësimi aq të nevojshme për komunitetet rurale.

Edhe emri dhe brendi që kompania e ka krijuar është mjaft interesant. Emri i kompanisë është vendosur sipas Gjergj Pelini-t i cili ka qenë mik, këshilltar dhe Ambasador i Skënderbeut i lindur dhe i rritur në Novobërdë, vendi ku kultivohen lajthitë Pelini’s. Edhe logo e kompanisë është një kombinim ndërmjet mburojës, shpatës dhe lajthisë duke krijuar një simbol me shumë kuptim.

Çka ofron Pelini’s sot?

Çdo herë e më tepër, të gjithë po vetëdijësohemi për rëndësinë e të udhqyerit të shëndetshëm dhe për një dietë të pasur me vlera ushqyese. Në Kosovë, ka pak produkte vendore të shëndetshme dhe njëkohësisht të kualitetit të lartë.

Pelini’s i përpunon lajthitë e rritura në Novobërde dhe lajthi të tjera të kultivuara në Strugë e Prespë të Maqedonisë së Veriut. Në këtë proces, Pelini’s përdorë teknologji moderne për tharje, kalibrim, thyerje dhe pjekje të lajthisë. Krejt kjo mundëson që produkti final të jetë i cilësisë së lartë për çka klientët tashmë edhe e njohin kompaninë Pelini’s.

Përveç kësaj, në pikën e shitjes, një dyqan i vogël por simpatik në lagjen Ulpiana në Prishtinë, Pelini’s prodhon gjalpë, vaj e qumësht të frekët nga frutat arrore e nga farërat e ndryshme. Përveç prodhimeve të Pelini’s, në pikën e shitjes gjenden edhe produkte të tjera kryesisht organike si farërat e ndryshme, çajërat organike, mjalti, frutat e thata, etj.

Ajo çka e bën pikën e shitjes Pelini’s edhe më të veçantë është se aty shiten produkte pa paketim të panevojshëm. Kjo pikë shitjeje është ndërtuar në bazë të konceptit ‘zero mbeturina’ duke ofruar një opsion alternativ ku mund të blihen produkte të shëndetshme, me fokus në prodhime vendore të kualitetit të lartë, të freskëta e pa paketim të panevojshëm. Klientët mund të marrin me veti enën e vet të ushqimit dhe ta mbushin me ushqime që i duhen e në sasinë që i duhet! Kjo pikë shitje duket shumë ndryshe nga ajo që shohim çdo ditë pasi pothuajse cdo gjë që blejmë sot vjen në paketim plastik: arrë, kikirik, çaj, kafe, fruta, produkte të higjienës, etj. E këto paketime përfundojnë në shumë raste nëpër lumenj ose në hapësira të tjera duke e dëmtuar shëndetin tonë e të gjallesave të tjera dhe planetin.

Cka mund të presim nga Pelini’s në të ardhmen?

Pelini’s tashmë është një derë për kultivuesit tjerë vendorë të lajthisë dhe arrës, fruta që rriten në vendin tonë. Fermeri tashmë ka një vend ku mund ta shesë produktin, ndërsa tregu ka disa produkte gjalpi, vaji e mielli më shumë që mbajnë etiketën ‘Made in Kosova’.

Pelini’s poashtu funksionon si promovues i mbjelljes së lajthisë, duke sjellur në Kosovë sortat më cilësore italiane të lajthisë të kultivuara dhe licensuara nga gjiganti Italian Ferrero, prodhues i NUTELLAs. E numri I të interesuarve për të mbjellur lajthi e arrë në Kosovë po rritet çdo ditë.

Ervini me shaka thotë se ëndrra e Pelini’s është që t’i përngjajë fermerit të parë Brazilian të kafes, të cilit ia pa hajrin tërë shoqëria dhe shteti Brazilian. Për pikën e shitjes, ai tregon se idea është që të zgjerojmë gamën e produkteve ashtu që kjo pikë të shërbejë si një ‘one-stop shop’ për produkte të shëndetshme vendore e stil të qëndrueshëm të jetesës.