Pranimi i punëtorëve në QKUK në kundërshtim me ligjin

Pranimi i punëtorëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës përmes listës rezervë është në kundërshtim me ligjin e punës thuhet në raportin e auditimit për vitin 2017 të SHSKUK-së.

Ligji i punës nr 03/L-212 , përcakton se ‘’Punëdhënësi në sektorin publik është i obliguar që të shpall konkurs publik sa herë që pranon një punëmarrës dhe themelon një marrëdhënie të punës’’

Auditori ka gjetur se  QKUK kishte shpallur dy konkurse publike përgjatë vitit 2017 për rekrutim të stafit mjekësor. Me konkursin e shpallur me 22.12.2016 ishin kërkuar 16 punonjës (staf mjekësor) ndërsa ishin pranuar 9 punonjës të rregullt dhe 83 tjerë ishin përfshirë në listë të pritjes.

“Këta gradualisht ishin futur në lista të pagave deri në fund të vitit 2017. Poashtu, edhe në konkursin e shpallur me 13.12.2017, QKUK kishte pranuar 88 punëtorë të rregullt (staf mjeksor) dhe kishte futur në listë rezervë 133 kandidatë tjerë”, thuhet në raport.

Sipas Auditorit rreziku qëndron në faktin që punësimi i punëtorëve nga lista rezervë rrit rrezikun e diskriminimit/ favorizimit të aplikuesve duke mos dhënë mundësi të barabartë për të gjithë.

“Bordi Drejtues dhe Drejtori i Përgjithshëm duhet të sigurojnë që procesi i rekrutimit të stafit të jetë në përputhje me kriteret e përcaktuara ligjore dhe të shpallet konkursi i ri për çdo pozite të lirë të punës, sipas kërkesave ligjore”, rekomandon auditori.