Policia: Arma e droga nuk janë të djalit të Shpend Maxhunit

Mëngjesin e sotëm KALLXO.com ka raportuar në lidhje me një rast në të cilin ishte i përfshirë edhe djali i shefit të Intelegjencës, Shpend Maxhunit.

Në lajmin e KALLXO.com të cilin e ka konfirmuar edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, thuhet se pjesë e një kallëzimi penal për posedim të narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje ishte edhe djali i Shpend Maxhunit.

Policia e Kosovës ka publikuar një sqarim në të cilin thotë se as arma e as lëndët narkotike të gjetura nga policia na një pikë kontrolli nuk janë të djalit të Shpend Maxhunit.

E gjitha kishte ndodhur kur në një pikë kontrolli në fshatin Zllatar, policia kishte ndaluar një veturë Golf IV me targa vendore, ku gjatë kontrollimit të tre personave që gjendeshin në veturë, duke përfshirë edhe djalin e Maxhunit, Sh. M, ishte gjetur një revole e llojit “Zastava”, me një karikator dhe katër fishek të kalibrit 6. 35 mm.

Sipas policisë, gjatë vazhdimit të kontrollit të automjetit, në një pjesë të veturës është gjetur një thikë, si dhe një cigare e mbështjellë e cila dyshohej të jetë substancë narkotike, një mulli i bluarjes grinder ndaj të cilave janë duke u kryer hetime.

“Personi i dyshuar ( A. K. ), i cili ka qenë në veturë ka deklaruar se cigarja e mbështjellë e gjetur brenda në veturë, si dhe mulliri i bluarjes grinder i përkasin atij . Si rezultat i vazhdimit të hetimeve, nga njësitet policore është intervistuar edhe personi i katërt i dyshuari ( R. M ), i cili ka deklaruar se arma është e tij dhe se i njëjti e ka harruar në veturën e apostrofuar dhe se nuk i përket të dyshuarit (Sh. M)”, thuhet në sqarimin e policisë.

Në lidhje me këtë rast është njoftuar edhe prokurori kompetent, me rekomandim të të cilit rasti është proceduar në procedurë të rregullt.

“Andaj ritheksojmë se PK-ja është institucion i zbatimit të ligjit dhe mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore, duke përfshirë angazhimet e saja profesionale edhe në rastin konkret, për të cilin ka ngritur kallëzim penal”, ka thënë policia në fund të sqarimit.

https://kallxo.com/zyrtare-djali-i-shpend-maxhunit-dyshohet-per-droge-e-arme/