Organizata studentore në Pejë dorëzon kallëzim penal kundër organizatorëve te grevës në universitete

Organizata studentore “Zëri Studentor’ në Pejë ka njoftuar se nesër do të dorëzojë kallëzim penal në Këshillin Prokurorial të Kosovës kundër organizatorëve te grevave në universitetet publike te Kosovës.

Këtë veprim organizata studentore e ka marrë pas vendimit të djeshëm të Konferencës së Rektorëve, në bazë të të cilit nga sot 6 universitetet publike në vend hynë në grevë të përgjithshme deri në plotësimin e kërkesave të parashtruara nga ata.

https://kallxo.com/edhe-universitetet-nga-neser-ne-greve-rektoret-kerkojne-shkarkimin-e-ministrit-bytyqi/

Në njoftimin e publikuar në ‘Facebook’, organizata “Zëri Studentor” vlerëson se organizimi i kësaj greve është bërë në kundërshtim me kushtet ligjore të grevës.

Ky është njoftimi i plotë i organizatës studentore’ Zëri Studentor’ në Pejë:

“Nesër Zëri Studentor Pejë, dorëzon Kallëzim Penal në Këshillin Prokurorial të Kosovës!

Përmbajtja e Kallëzimit Penal:

Për: Këshillin Prokurorial të Kosovës
Prishtinë

Lënda: KALLEZIM PUBLIK PENAL kundër organizatorëve te grevave te kundërligjshme në universitetet publike te Kosovës

“Këshilli i Rektorëve të Universiteteve të Kosovës” si një mekanizëm jo kompetent dhe ilegal (i paregjistruar) përmes një shkrese të përbashkët dhe urdhëresave individuale të rektorëve kanë kërkuar nga personeli akademik dhe administrativ që të mbajnë grevë të përgjithshme dhe ti braktisin objektet e tyre te punës, çdo ditë duke filluar nga ora 12.

Përderisa organizimi i kësaj greve është bërë jo vetëm nga një mekanizëm ilegal dhe ne kundërshtim flagrant me kompetencat e rektorëve, por edhe në kundërshtim me nenin 6 dhe 7 të ligjit per greva të LIGJIT Nr. 03/L-200 PËR GREVA, që i përcakton qartë kushtet ligjore për organizimin e grevës:

Neni 6

Kushtet e përgjithshme për organizimin e grevës

1. Greva është e ligjshme kur plotësohen kushtet e më poshtme:

1.1. organizohet nga një sindikatë, që ka cilësinë e personit juridik dhe është e regjistruar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale;

1.2. organizohet nga gjysma e të punësuarve brenda një organizate punuese;

1.3. ka për qëllim të realizojë kërkesat nga marrëdhënia e punës, sipas ligjit dhe Kontratës së punës;

1.4. kur sindikata, nga njëra anë, dhe organizata e punëdhënësve, nga ana tjetër, janë përpjekur më parë të bien dakord lidhur me kërkesat e tyre;
1.5. nuk është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Në interes të mbrojtjes se sistemit akademik dhe te drejtave të studenteve në Republikën e Kosovës, publikisht e ushtrojmë këtë kallëzim penal.

Përderisa këtu kemi te bëjmë me persona të profilit të lartë dhe me ndikime të fuqishme politike, në interes të objektivitetit kërkojmë që hetimi i këtij rasti dhe i çdo rasti tjetër të iniciuar udhëheqësve të ndryshëm universitar, të hetohet nga ndonjë prokurori dhe njësi neutrale e policisë (e jo nga prokuroria apo policia e qytetëve ku ata veprojnë) ngase shpeshherë në të kaluarën, përmes ndikimeve kriminale (korruptimit, punësimit te hetuesve ose te familjareve te tyre ne universitete) janë hapur apo mbyllur raste në kundërshtim me kushtet e parapara ligjore.

Me nderime Zëri Studentor Pejë!”