Në kafen me rektorin e UP-së, studentët shprehen kërkesat e tyre

Disa studentë iu përgjigjën thirrjes së rektorit të Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema për të pirë kafen e mëngjesit së bashku, ku edhe bisedoi nga afër me studentët lidhur me shqetësimet e tyre dhe idetë që kanë për përmirësimin e jetës studentore në kampusin e UP-së.

Në një komunikatë për media thuhet se Dema i ftoi studentët që të angazhohen dhe të bëhen pjesë e transformimit të Universitetit të Prishtinës, teksa i siguroi që menaxhmenti i UP-së është çdo herë në dispozicionin e tyre për të dëgjuar ankesat, kërkesat dhe idetë për ndryshim.

“Në universitetin tonë studenti është në qendër. Në këtë rrugëtim, ne dëshirojmë që të jeni ju ata që do të vazhdoni dhe ideoni tutje transformimin e këtij universiteti. Unë pres nga ju shumë angazhim dhe ide në rrugëtimin drejt ndryshimit të UP-së, sepse pa ndryshimin e Universitetit të Prishtinës nuk ka ndryshim të Kosovës,” citohet të ketë thënë Dema.

Studentët e pranishëm, të cilët ishin nga Fakulteti Juridik, Ekonomik, Filozofik, i Bujqësisë dhe Veterinarisë dhe i Edukimit, shprehen idetë e tyre dhe kërkesat për progres në fushën e mësimdhënies, në kontaktin profesor – studentë, në fushën e informacionit dhe teknologjisë, e të tjera çështje lidhur me Universitetin dhe partneritetin ndërkombëtar, për të cilat morën përgjigje në kohë reale nga rektori dhe ekipi i tij.

Studentët pjesëmarrës në këtë takim ishin: Lirik Veselaj, Fjolla Vukshinaj, Jeton Rugovaj, Beart Hyseni, Egzon Kelmendi, Muhamed Veliu, Adelina Morina, Flaka Spaqi dhe Dafina Shala.

Tutje, thuhet se takimet e studentëve me rektorin, nga tani e tutje, do të jenë takime të përmuajshme, gjatë të cilave do të diskutohet për tema të ndryshme që prekin cilësinë e jetës studentore në UP.