Ilustrim: Pixabay

Pyetësor: Shkeljet e të drejtave të konsumatorëve në Kosovë

Shumë qytetarë të Kosovës ankohen për shkelje të të drejtave të konsumatorëve, por pak kompani kanë pasoja financiare apo ligjore. Ne dëshirojmë të dimë më shumë për qasjen institucionale pas raportimeve nga qytetarët të shkeljeve të të drejtave të konsumatorëve në Kosovë.

Qindra qytetarë të Kosovës ankohen çdo vit për shkelje të të drejtave të tyre të konsumatorëve. Megjithatë, pak kompani ndëshkohen financiarisht dhe shumica marrin vetëm vërejtje dhe/ose njoftime për të trajnuar stafin ose për të eliminuar parregullsitë.

Viti 2024 ka nisur me shkelje të mëdha të të drejtave të konsumatorëve në Kosovë. Disa operatorë kabllorë, duke filluar nga 1 janari, kanë ndërprerë transmetimin e kanaleve sportive, si ato që transmetojnë Premier Ligën angleze dhe kanale të tjera nga operatori kabllor digjital dhe satelitor i Shqipërisë, DigitAlb.

Të abonuarit ishin shtyrë të besonin se dy operatorët kryesorë kabllorë në Kosovë, Kujtesa dhe Artmotion, do t’i transmetonin këto kanale, pa u informuar për një datë të mundshme të skadimit të kontratës së tyre me DigitAlb. Shumë prej tyre kishin paguar tashmë abonime njëvjeçare.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës tha se tashmë ka pranuar qindra ankesa nga të abonuarit, duke u bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të raportojnë në Agjencinë për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Komisioni i Pavarur për Media, KPM, organi përgjegjës për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e transmetimeve audio-vizive në Kosovë, tha gjithashtu se po shqyrton situatën dhe po shqyrton ankesat që qytetarët kishin bërë.

Sipas rregullores së Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës, ARKEP, një konsumator mund ta përfundojë kontratën pa kompensim vetëm nëntë muaj pas nënshkrimit të kontratës, por mund ta ndërpresë kontratën paraprakisht kur informohet për ndryshimet e kontratës me të cilat nuk pajtohet. Operatorët janë të detyruar të informojnë konsumatorët për këto ndryshime. Abonentët e operatorëve kabllorë kanë thënë se nuk ishin të informuar për heqjen e kanaleve.

Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit është përgjegjëse për respektimin e qëndrueshëm të të drejtave të konsumatorëve në Kosovë, dhe qytetarët mund të ankohen tek ajo kur u shkelen të drejtat. Sipas faqes së saj në internet, nga janari 2023 deri në javën e parë të janarit 2024, ka pranuar 991 ankesa në kategorinë “Tregti”, 263 në kategorinë “ARKEP”, dhe 41 në kategorinë Komisioni i Pavarur për Media, ndër të tjera. Agjencia ka pranuar 193 ankesa vetëm në tetë ditët e para të janarit.

Dëshirojmë të dëgjojmë nga qytetarët e Kosovës të cilëve u janë shkelur të drejtat e konsumatorëve qoftë nga operatorët kabllorë apo nga kompanitë e tjera, që të raportojmë për qasjen institucionale në zbatimin e të drejtave të konsumatorëve.

Gjërat kryesore që duam të dimë:

Nëse keni raportuar një shkelje të të drejtave të konsumatorit

Në cilin institucion e keni raportuar

Cila ishte përgjigja

Nëse jeni kompensuar

Si të merrni pjesë?

Për të paraqitur përvojën tuaj, thjesht plotësoni këtë formular. Pyetësori është i disponueshëm në anglisht dhe shqip.

Mund të na kontaktoni edhe me email: [email protected].

Ose mund të na kontaktoni në rrjetet sociale…

FB: @balkaninsight

TW: @balkaninsight