Dokumentar për kampionin e Formula 1, Michael Schumacher

Një film dokumentar për legjendën e formulës, Michael Schumacher është në fazat e fundit të prodhimit, nga Michael Wech dhe Hanns-Bruno Kammertöns.

Dokumentari për kampionin e shtatëfishtë të Formula 1, do të shfaqet më 5 dhjetor në kinematë zvicerane dhe gjermane, përderisa traileri i dokumentarit do të shfaqet në Festivalin e Kanës, për herë të parë, transmeton rtv21.tv

Dokumentari “Schumacher” rrëfen për jetën e yllit, qysh nga koha e fëmijërisë, e deri te fitoret e tij në Formula 1.

Po ashtu, do të shfaqet edhe një pjesë e dhimbshme e jetës së tij, kur Schumacheri kishte pësuar aksident gjatë skijimit, pesë vjet më parë. Nga ky aksident, Schumacheri kishte pësuar lëndime të rënda, nga të cilat ende po vuan.

Bashkëshortja e yllit, Corinna Schumacher do të ndajë rrëfime për legjendën, po ashtu edhe fëmijët e tij, babai i tij dhe shumë persona të tjerë të afërt me të.

“Schumacher” do të publikohet në 50-vjetorin e lindjes së legjendës dhe në 25-vjetorin e fitores së tij të parë në Formula 1.

Ky dokumentar ka edhe pamje që nuk janë publikuar më parë dhe intervista të rralla.