Bolidi (Makina) i kampionatit të Michael Schumacher nga viti 2000 do të shitet në ankand

Shtëpia e ankandeve RM Sotheby’s do ta shesë në muajin prill makinën (bolidin) Ferrari që i përkiste Michael Schumacher.

Është një bolid plotësisht i restauruar që mund të marrë pjesë në programin Corse Clienti të Ferrarit, ku pronarët mund t’i ngasin makinat e tyre në disa nga pistat më të mira në botë.

Është gjithashtu bolidi i kampionatit F1-2000 që nisi një seri sezonesh trofesh që zgjatën deri në vitin 2004. Ndryshimet në rregullat e bëra nga FIA më pas i dhanë fund dominimit “të çeliktë” të Ferrarit.

Në vitin 2000, Schumacher e dominoi absolutisht të gjithë sezonin dhe fitoi titullin e pilotit me një avantazh prej 19 pikësh ndaj vendit të dytë Mika Hakkinen. Mirëpo, edhe kjo diferencë nuk e tregon historinë e plotë, duke pasur parasysh se finlandezi arriti të zvogëlojë diferencën, e cila arriti në më shumë se 40 pikë, falë tërheqjeve të Michael. Nga gjithsej 13 gara që përfundoi, Schumacher nuk ishte në podium vetëm një herë, pasi kaloi vijën e finishit si i pesti në Spanjë. Në nëntë gara, ai ishte në shkallën më të lartë.

Në total, bolidi F-2000 arriti 10 fitore në 17 gara në sezon, si dhe 10 pole position dhe pesë xhiro më të shpejta gjatë vitit. Schumacher dhe shoku i tij i skuadrës Rubens Barrichello regjistruan së bashku 21 podiume. Sezoni i kampionatit të Schumacher në vitin 2000 i solli Ferrarit titullin e parë të pilotit në 21 vjet. Para kësaj, kjo u bë nga Jody Schenckter në vitin 1979 kur ai parakaloi shokun e skuadrës Gilles Villeneuve.

Bolidi F1-2000 fuqizohet nga një motor 3.0-litërsh V10 dhe e njëjta bazë u përdor nga 3.0-litra V10 që i solli Schumacher-it dhe Ferrarit katër tituj të tjerë kampionë. Në rastin e bolidit F1-2000, motori “rrotullohet” më shumë se 17,000 rrotullime për minut dhe zhvillon më shumë se 800 kuaj fuqi.

Bolidi në foto mban shasinë me numrin 198, dhe Schumacher e voziti atë kur fitoi pole position në Monako dhe Spanjë. Gjithashtu, ai fitoi nga rreshti i dytë titullar në Brazil. Për shkak të incidentit në të cilin vetura BAR-Honda e goditi atë në Austri, bolidi nuk e përfundoi garën dhe pas riparimeve të vogla u përdor si rezervë për pjesën e mbetur të sezonit.

I njëjti bolid është shitur në vitin 2014 në SHBA për 1.8 milionë dollarë, por këtë herë pritet një çmim dukshëm më i lartë.

Bolidi i kampionatit F1 e Schumacher në vitin 2003 u shit kohët e fundit për 1.46 milionë franga zvicerane./Klix.ba

Përgatiti: Nuhi Shala