Foto: Kallxo.com

Me 41 deputetë nis seanca e jashtëzakonshme

Kuvendi i Kosovës ka hapur punimet e seancës së jashtëzakonshme.

Ne këtë seancë të thirrur nga kryeministri Ramush Haradinaj, pritet të bëhet shqyrtimi dhe miratimi i pakos së ligjeve për sundim të ligjit dhe agjendën integruese evropiane.

Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës tha se “me 41 deputet i hap punimet e kësaj seance”.

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi njëherësh anëtar i Komisionit për Legjislacion tha se seanca e sotme e Kuvendit nuk mund të mbahet pasi kryeministri Ramush Haradinaj nuk mund të thërrasë seancë të jashtëzakonshme për lexim të dytë.

“Kjo seancë sot nuk ka objekt dhe nuk duhet të mbahet si e tillë. Dje në takim me Komisionin për Legjislacion kemi pasur një takim me kryeministrin dhe u morëm vesh që kryeministri ta tërheq kërkesën për seancë, sepse kjo është shkelje e rregullores. Kryeministri nuk mund të thërras seancë të jashtëzakonshme për ligje në shqyrtim të dytë”, tha ai.

Albulena Haxhiu, deputet e LVV, tha se kur opozita kishte thirrur seancë të jashtëzakonshme nuk është hap seanca pa 61 deputet, kurse sot me 40 e disa deputet është hap seanca.

“Sot me 40 e disa deputet e hapët seancën. Kur ju përshtatet e hapni seancën kjo është shumë problematike sepse Kuvendi nuk është i koalicionit por i gjithë deputetëve. Ne vend që sot të kishim koordinim ndërmjet qeverisë dhe Kuvendit sot jemi në seancë me këtë rend dite që as nuk është shkruar mirë që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe agjendën evropiane”, tha Haxhiu.

Ajo tha se kryeministri ka të drejtë të thërras seancë të jashtëzakonshme por qeveria nuk ka të drejtë ti kërkoj kohë të caktuar për votim në shqyrtim të dytë të projektligjeve.

“Nuk mund të ndërhyj qeveria në punën e Kuvendit dhe ti tregoj se kur duhet Kuvendi ti votoj ato projektligje”, tha Haxhiu.

Nënkryetari Haliti, tha se parlamentet e krejt Evropës as njëri nuk ka nevojë për kuorum për ta filluar seancën.

“Kuorumi duhet të jetë për votim”, tha Haliti duke shtuar se te ne interpretimi mund të bëhet i gjithanshëm.