Gjykimi për dhënie e marrje ryshfeti - Foto: KALLXO.com

Mbrohen në Heshtje Studentët e Akuzuar për Ryshfet

Kemajl Gashi, Leonard Bytyqi, Gazmend Maliqaj, Arton Hoti, Muhamed Maliqi e Shaqir Reçica kur u ftuan nga trupit gjykues që të japin mbrojtjen e tyre ata deklaruan se kanë zgjedhur që të mbrohen në heshtje.

Ata thanë që e mbështesin deklaratën e dhënë në Prokurori por jo edhe atë të dhënë në Polici pasi që sipas tyre, ajo çfarë është paraqitur në procesverbalin e marrjes në pyetje në Polici nuk ka qenë ajo se çfarë të akuzuarit kanë deklaruar në të vërtetë.

Ndryshe nga të akuzuarit e tjerë, Amonda Orllati dhe Albion Haxhijaha kishin vendosur që të japin mbrojtjen e tyre.

Albion Haxhijaha i akuzuari për ndihmë lidhur me marrje të ryshfetit, kur u pyet nga prokurori Ibrahim Berisha se a njihte Leonard Bytyqin, ai deklaroi se Leonardin e njihte nga fakulteti dhe që të njëjtin e kishte takuar në bibliotekë, kurse për Amondën tha se e njeh pasi që të dy vijnë nga i njëjti qytet.

I akuzuari Albion Haxhijaha mohoi t’i ketë dhënë para Leonardit për ta regjistruar Amondën në fakultet, e për Amonden tha se e ka takuar në dekanatin e fakultetit rastësisht dhe pasi që ajo i kishte treguar që për pak pikë nuk kishte arritur të pranohet, atëherë ky e kishte udhëzuar që të bënte ankesë.

“Sa më kujtohet në muajin korrik të vitit 2012, kur Amonda për pak pikë nuk është pranuar në Fakultetin e Mjekësisë, në degën e Stomatologjisë, me të njëjtën jemi takuar rastësisht në dekanatin e Fakultetit dhe ajo më ka pyetur se cilat janë hapat e mëtutjeshme, e unë si student i kam propozuar që të paraqesë ankesë pasi që çdo student ka të drejtë të paraqesë ankesë dhe e di që të njëjtën gjë e ka bërë edhe Amonda”, deklaroi Albion Haxhijaha.

E kur u pyet nga kryetarja e trupit gjykues Shadije Gërguri që nëse ishte e vërtetë që Amonda kishte dhënë para për t’u regjistruar në Fakultetin e Mjekësisë, i akuzuari u përgjigj: “Jo, nuk është e vërtetë as nuk i ka shkuar në mendje një gjë e tillë pasi që e ka shfrytëzuar mundësinë e ankesës që çdo student e ka këtë mundësi dhe pastaj bashkë më të edhe gati 200 studentë të tjerë janë pranuar”, tha Albion Haxhijaha.

Kurse e akuzuara tjetër Amonda Orllati tha se ajo nuk e njeh as deklaratën e dhënë në Polici e as atë të dhënë në Prokurori pasi që sipas saj, deklaratën e dhënë në Polici e ka dhënë nën presion dhe se ajo nuk ka pasur avokat mbrojtës as në Polici e as në Prokurori.

Madje e akuzuara gjithashtu deklaroi se ajo kur kishte shkuar në Prokurori nuk kishte qenë në dijeni se është e akuzuar dhe se deri në fund të deklaratës së saj ajo ka menduar që është dëshmitare.

“Kur kam shkuar në Prokurori unë kam menduar që jam dëshmitare. Krejt në fund kam kuptuar që unë jam në cilësinë e të pandehurës”, deklaroi e akuzuara për dhënie të ryshfetit, e cila mohoi të ketë dhënë para për pranim në Fakultetin e Mjekësisë.

Gjatë deklaratës së dy të akuzuarve Albion Haxhijaha dhe Amonda Orllati, pothuajse gjatë gjithë kohës kryetarja e trupit gjykues Shadije Gërguri i ballafaqonte me deklaratat e tyre të dhëna më herët në Polici dhe Prokurori, pasi që sipas procesverbalit të atyre deklaratave të akuzuarit kishin dëshmuar krejt diçka tjetër duke pranuar se i kanë dhënë para Leotrimit për regjistrim të Amondës në Fakultetin e Mjekësisë.

Por të akuzuarit në fjalë kategorikisht i mohuan ato deklarata, duke i kërkuar trupit gjykues që të merrte për bazë vetëm deklaratën e dhënë para tyre, meqë sipas tyre kjo është e vërteta e vetme.

Sipas aktakuzës, Esat Belaj ngarkohet se nga 9 shtatori 2012 deri më 16 shtator 2012 si student senator, duke shfrytëzuar ndihmën e të pandehurve Leonard Bytyqi dhe Albion Haxhijaha kërkoi në mënyrë të tërthortë dhe pranoi shumën e parave në vlerë prej 4,500 eurove.

Gjithnjë sipas aktakuzës, këtë shumë e kishte dhënë Amonda Orllati, po ashtu e akuzuar në këtë proces gjyqësor, me qëllim që të regjistrohej në Fakultetin e Mjekësisë, dega e Stomatologjisë.

Arian Janova, Gazmend Maliqaj dhe Mevludin Beqiri akuzohen se kanë kërkuar e në disa raste kanë pranuar dhurata të ndryshme në para në shuma 150, 200, 350, 400 e deri në 1,400 euro.

Pjesë e këtij procesi janë edhe Kemajl Gashi, Kushtrim Morina dhe Arton Hoti, ndërsa Muhamed Maliqi, Albion Haxhijaha dhe Leonard Bytyqi akuzohen për ndihmë lidhur me marrje të ryshfetit.

Amonda Orllati dhe Shaqir Reçica akuzohen për dhënie të ryshfetit.

Rajan Zeneli, që akuzohej për ndihmë lidhur me ushtrim të ndikimit, është liruar nga akuza pasi që vepra për të cilën akuzohej ka arritur vjetrimin.

Disa nga të akuzuarit ngarkoheshin edhe me veprën penale të ushtrimit të ndikimit por që në seancën e 10 marsit të këtij procesi gjyqësor prokurori Ibrahim Berisha konstatoi se është vjetërsuar kjo vepër.

Këtë vjetërsim pastaj e pranoi edhe gjykata, duke hedhur poshtë pikat e aktakuzës që lidheshin me këtë vepër penale.

Sipas aktakuzës veprat u kryen përgjatë viteve 2009 dhe 2012 dhe kishin të bënin kryesisht për regjistrime të jashtëligjshme në Universitetin e Prishtinës dhe kalimin e provimeve kryesisht në Fakultetin e Mjekësisë.

Seanca e radhës do të mbahet me 21 qershor me ç’rast do të jepet edhe fjala përfundimtare.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë nga ky gjykim.

http://kallxo.com/sms-qe-flasin-per-provime-e-para-ne-gjykimin-e-studenteve/

http://kallxo.com/akuzuari-asnjehere-nuk-hyra-ne-provim-ne-vend-te-tjeterkujt/