Lirohen aktivistët e arrestuar për sulmin me ngjyrë kundër Policisë

Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, të arrestuar të premten pas aksionit gjatë të cilit hodhën ngjyrë të kuqe në drejtim të Policisë, janë liruar.

Arta Berisha, Elona Kurti, Patrik Domi, Rinë Zhitia, Çlirim Gërbeshi e Atdhe Arifi, ishin ndaluar nga Policia për 48 orë.

Ata janë liruar sot.

Në mesin e të arrestuarve të premten ishte edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, e cila ishte liruar ndërkohë.

Aksioni i së premtes ishte ndërmarrë në shenjë proteste kundër mugesës së ofrimit të sigurisë dhe mbrojtjes për gratë dhe fëmijët e Kosovës.

Ai ndërlidhej me ngjarjen që ka ndodhur ditë më parë në Brekoc të Gjakovës, ku një grua u vra bashkë me vajzën 9-vjeçare nga ish-burri.

Në një konferencë për media, të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje sot, aktivistja Rina Zhitija tha se para dy ditësh në drejtim të Policisë kanë hedhur ngjyrë të kuqe që simbolizon gjakun e grave që, sipas saj, Policia po e lejon.

Ajo akuzoi forcat e rendit se ushtruan dhunë ndaj aktivistëve.

“Policia e Kosovës është duke trajtuar dhunën ndaj gruas si diçka të mbyllur dhe private”, tha Rina Zhitia.

Rina Zhitia përmendi edhe rastin që u raportua të premten, ku një burrë me djemtë e tij kishin rrahur gruan/nënën dhe vajzat/motrat.

Zhitia tha se të dyshuarit u liruan dje, pa ndonjë proces gjyqësor. Me këtë, tha ajo, Policia po dëshmon se është përkrahëse e dhunës.

https://kallxo.com/hidhet-boje-ne-stacionin-e-policise-arrestohen-disa-aktiviste-te-vv-se-foto/

Ndërsa, aktivistja Arta Berisha tha se nuk e kanë sulmuar asnjë person zyrtar. “Aksioni jonë ka qenë aksion politik. Ngjyra e kuqe është hedhur vetëm në drejtim të institucionit dhe në asnjë moment nuk është sulmuar asnjë zyrtar policor”, theksoi ajo.

Arta Berisha tha se përkundrazi dhunë është ushtruar ndaj protestuesve. Sipas saj, nga Policia janë rrahur aktivistët Çlirim Gërbeshi e Atdhe Arifi.