Vdekja e mistershme në QKUK: 6 vite pas, fillon gjykimi për vdekjen e 36 vjeçares

Në mëngjesin e 5 korrikut 2022 u planifikua të mbahej seanca fillestare për rastin e Sabrie Fazliut, e cila vdiq para 6 viteve.

36 vjeçarja nga Prishtina vdiq gjatë trajtimit të saj në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës – QKUK, ndërsa dyshimet e para tregojnë se asaj iu dha një dozë gjaku gabimisht.

Të akuzuar për vdekjen e 36 vjeçares janë katër mjekë të QKUK-së, Vjosa Zejnullahu, Myzeine Muja, Bashkim Sheholli dhe Selman Demolli.

Ndonëse Prokurorisë i janë dashur 6 vjet, 1 muaj e 24 ditë deri në ngritjen e aktakuzës, edhe pas pothuajse 6 vjet e gjysmë që nga vdekja e Sabrijes, tentativa e parë për fillimin e këtij gjykimi dështoi, në mungesë të njërit prej të akuzuarve.

Gjykatësi i rastit, Avni Syla në gjykatoren e Departamentit të Krimeve të Rënda në Gjykatën e Prishtinës, pranë të pranishmëve njoftoi se në mungesë të kushteve, seanca do të shtyhet për datën 20 korrik 2022.

I akuzuari Selman Demolli, sipas gjykatësit Syla, mungoi pasi ftesa për paraqitje në seancë ishte dërguar në adresë të gabuar.

Vitin e kaluar hulumtimi i “Kallxo Përnime” kishte zbuluar se si gjykimi i këtij rasti ishte shtyrë deri më tani, pasi Prokuroria e Prishtinës tash e 6 vite ishte duke pritur që lënda të përkthehej në gjuhën gjermane dhe të dërgohej tek autoritetet atje për ekspertizë sepse autopsia e Mjekësisë Ligjore të Kosovë nuk e kishte sqaruar rrethanën e vdekjes.

Asokohe, autopsia kishte konstatuar se dhënia e dozës së gjakut kishte qenë vetëm një shkëndijë nismëtare, por jo edhe shkaktar i vdekjes.

Më 20 korrik 2017, Drejtoria Regjionale e Policisë – Njësia e Përgjithshme e Hetimeve, kishte ushtruar kallëzim penal kundër katër mjekëve të pandehur në drejtim të kryerjes së veprës penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”.

Në aktakuzën e siguruar nga KALLXO.com tregohet se si erdhi gjendja deri tek vdekja e Sabrie Fazliut.

Sipas kësaj aktakuze, ekziston dyshimi i arsyeshëm se të pandehurit, në cilësinë e mjekëve, më datën 20 janar 2016, me rastin e dhënies së ndihmës mjekësore dhe me veprimet e tyre me dashje të mundshme, të vetëdijshëm se çfarë ishin duke bërë do sjellin vdekjen e pacientit, kanë përdorur haptazi metoda të papërshtatshme të trajtimit.

Sipas Prokurorisë, përmes këtyre veprime kishin shkaktuar përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të viktimës.

E pandehura e parë në këtë rast është mjekja Vjosa Zejnullahu. Ajo sipas aktakuzës dyshohet se ka qenë personi që ia ka thënë gjakun viktimës, pa u konsultuar me transfuziologun.

Madje, sipas aktakuzës Zejnullahu dyshohet se pas përkeqësimit të gjendjes ka shkatërruar edhe qesen e gjakut që ka marr viktima, duke shkatërruar provën kryesore.

Në aktakuzë thuhet se ajo nuk kishte kërkuar mendimin e mjekëve të tjerë për të vendosur nëse, tashmë viktima duhej të trajtohej fillimisht në urgjencë apo në terapi intensive.

Prokuroria pretendon se Zejnullahu e ka nënvlerësuar ankesën e pacientes për reagimin ndaj transfuzionit të gjakut duke vazhduar me dhënien e gjakut.

Kështu, Prokuroria pretendon se Zejnullahu gabimisht e vlerësoi gjendjen e pacientes duke anashkaluar konsultimin me transfuziologun, megjithëse e dinte se përkeqësimi i gjendjes së pacientes kishte ndodhur pas transfuzionit të gjakut.

Në aktakuzë më tej thuhet se pas përkeqësimit të gjendjes, kur Zejnullahu e kishte dërguar pacienten në qendrën urgjente nuk kishte dërguar edhe qesen me gjak, për të parë se cili gjak i ishte dhënë të dëmtuarës.

I pandehur i dytë, Selman Demolli dhe e pandehura e tretë, Myzeine Muja sipas Prokurorisë nuk kanë vepruar sipas protokolleve standarde për trajtimin e pacientit.

Ata dyshohen për këtë pasi që të dy sipas Prokurorisë nuk kishin dhënë rekomandime për konsultim me transfuziologun.

Zejnullahu, Demolli dhe Muja po ashtu dyshohen se pasi që të dëmtuarës i është përkeqësuar gjendja dukshëm gjatë marrjes së gjakut, tre të pandehurit nuk kanë ndërmarrë veprime për trajtimin e pacientes me anti-reaksion.

Madje, në aktakuzë thuhet se përpos kësaj mjekët më pas kishin dhënë konkluzione të gabuara, duke vendosur që në vend që të thërrisnin për konsultë transfuziologun, kanë thirrur një neurologun.

Të pandehurin e katërt Bashkim Sheholli, Prokuroria e akuzon se ndonëse nuk ishte mjeku kompetent për këtë rast, mirëpo se prapë i njëjti urdhëroi diçka tjetër që nuk ishte në përputhje me protokollin.

Sipas aktakuzës, Sheholli kishte rekomanduar që të bëhet CT e trurit të pacientes, duke i anashkaluar edhe të pandehurit e tjerë e pa konsultë paraprake me transfuziologun.

Akuza e Prokurorisë mbi të akuzuarit, rendon se sipas Prokurorisë të katër mjekët si ekip, thuhet se nuk kanë rekomanduar mbajtjen e qeses me gjak, të cilën e ka marr e dëmtuara, për analiza të mëtutjeshme. E që përmes kësaj qese të gjakut, Prokuroria pretendon se gjendja e pacientes përkeqësohet dhe vie deri te vdekja.

I dëmtuari i rastit, bashkëshorti i të ndjerës Sabrie Fazliu, Nazmi Fazliu në një intervistë për KALLXO.com kishte treguar momentet e para të keqësimit të gjendjes së pacientes në QKUK.

“Më 20 janar 2016 bashkëshortja ka pasur problem me dhimbje barku dhe është shtrirë ne QKUK në Prishtinë. Fillimisht është shtrirë në repartin e Gjinekologjisë e më pas e kanë dërguar edhe në klinikat e tjera dhe pas 3 ditëve ka vdekur në repartin e Intensives”, kishte thënë Fazliu i cili kishte treguar se nuk ka lënë derë pa trokitur për të kërkuar drejtësi.

Fazliu kishe deklaruar se lidhur me rastin ishte drejtuar në të gjitha institucionet për të kërkuar drejtësi.

“Kam bërë shkresa në Prokurori edhe në të gjitha institucionet tjera por deri më tani nuk është përfunduar rasti. Herën e fundit kur jemi interesuar në prokurori më kanë thënë së lënda është duke u përkthyer për t’u dërguar në Gjermani për ekspertizë”, theksoi asokohe Fazliu.

Më rastin viteve të fundit është duke u marrë prokurorja e Prishtinës, Javorka Perlinçeviq.

Ajo nuk kishte pranuar të flasë për hetimet e gjata të kësaj lënde.

“Janë disa arsye teknike që nuk është përfunduar rasti sepse lënda nuk është përkthyer ende dhe në këtë fazë nuk mund të jap detaje të tjera”, pati thënë Perlinçeviq.

Prokuroria e Prishtinës deri tash ka qenë duke pritur që lënda të përkthehet dhe të dërgohet për ekspertizë në Gjermani, pasi që sipas Prokurorisë raporti i autopsisë në Prishtinë nuk i sqaron mirë rrethanat e vdekjes.

“Lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se ndodhet në procedurë hetimore, andaj nuk mund t’i përgjigjemi kërkesës suaj për intervistë me prokuroren e rastit”, ka qenë përgjigjja e Prokurorisë se Prishtinës për KALLXO.com.

KALLXO.com kishte provuar të marrë një përgjigje nga mjeku ligjor, Flamur Blakaj, i cili e ka hartuar raportin, por ai nuk ka pranuar të flasë duke na kthyer një përgjigje me shkrim.

“Ministria e Drejtësisë dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore nuk kanë kompetencë ligjore të ofrojnë informacione për çështjet penale, andaj për këtë çështje mund t’i drejtoheni institucionit përkatës, në këtë rast Prokurorit të Shtetit”, thuhej në përgjigjen e mjekut Blakaj.

Në një raport i Avokatit të Popullit të vitit 2018 është përmendur rasti i vdekjes së 36 vjeçares.

Avokati i Popullit në këtë raport kishte gjetur shkelje në trajtimin e rrethanave të vdekjes së 36 vjeçares, e cila ishte edukatore nga Prishtina.