Misteret e vdekjes së 36-vjeçares në QKUK – LIVE

Hulumtimi i emisionit “Kallxo Pernime” ka zbuluar se Prokuroria e Shtetit në Prishtinë tash e pesë vite ka dështuar të hedhë dritë mbi vdekjen tragjike të 36-vjeçares Sabrie Fazliu nga Prishtina.

Sabrie Fazliu kishte vdekur në QKUK dhe deri më sot vdekja e saj nuk është ndriçuar ende.

Në një intervistë për KALLXO.com bashkëshorti i të ndjerës, Nazmi Fazliu, rrëfen momentet e para të keqësimit të gjendjes në QKUK dhe qysh u zhvilluan ngjarjet pesë vite më parë.

“Më 20 janar 2016 bashkëshortja ka pasur problem me dhimbje barku dhe është shtrirë ne QKUK në Prishtinë. Fillimisht është shtrirë në repartin e Gjinekologjisë e më pas e kanë dërguar edhe në klinikat e tjera dhe pas 3 ditëve ka vdekur në repartin e Intensivës”, tha Fazliu i cili ka treguar se nuk ka lënë derë pa trokitur për të kërkuar drejtësi.

“Kam bërë shkresa në Prokurori edhe në të gjitha institucionet tjera por deri më tani nuk është përfunduar rasti. Herën e fundit kur jemi interesuar në prokurori më kanë thënë së lënda është duke u përkthyer për t’u dërguar në Gjermani për ekspertizë”, theksoi Fazliu.

Më rastin viteve të fundit është duke u marrë prokurorja e Prishtinës, Javorka Perlinçeviq.

Ajo nuk ka pranuar të flasë për hetimet e gjata të kësaj lënde.

“Janë disa arsye teknike që nuk është përfunduar rasti sepse lënda nuk është përkthyer ende dhe në këtë fazë nuk mund të jap detaje të tjera”, ka thënë Perlinçeviq.

Policia kishte dorëzuar kallëzimin penal në Prokurori për 4 mjekët e dyshuar që ishin marrë me trajtimin e pacientes por që ky kallëzim ka mbetur në sirtarët e Prokurorisë.

Mjekët e dyshuar vazhdojnë të punojnë në QKUK dhe nuk kanë dashur të prononcohen para kamerës. Ata thonë se presin çka do të bëjë drejtësia.

E derisa doktorët presin drejtësinë ta kryejë punën e vet, Prokuroria e Prishtinës  është duke pritur që lënda të përkthehet dhe të dërgohet për ekspertizë në Gjermani pasi që raporti i autopsisë në Prishtinë nuk i sqaron mirë rrethanat e vdekjes.

“Lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se ndodhet në procedurë hetimore, andaj nuk mund t’i përgjigjemi kërkesës suaj për intervistë me prokuroren e rastit”, është përgjigjja e Prokurorisë se Prishtinës për KALLXO.com.

KALLXO.com ka provuar të marrë një përgjigje nga mjeku ligjor Flamur Blakaj i cili e ka hartuar raportin por ai nuk ka pranuar të flasë duke na kthyer një përgjigje me shkrim.

“Ministria e Drejtësisë dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore nuk kanë kompetencë ligjore të ofrojnë informacione për çështjet penale, andaj për këtë çështje mund t’i drejtoheni institucionit përkatës, në këtë rast Prokurorit të Shtetit”, thuhet në përgjigjen e mjekut Blakaj.