Ilustrim: Drogë e konfiskuar në një aksion të mëhershëm të Policisë - Foto: Policia e Kosovës

Skema e shpërndarjes së drogës nga 'Bregu i Diellit'

Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj S. Islamit dhe A. Canollit, të cilët dyshohen për drogë.

Prokuroria e Prishtinës në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit pretendon se më 13 gusht 2019 rreth orës 18:30 në Prishtinë në rrugën “Avdyl Lahu”, në lagjen “Bregu i Diellit”, i dyshuari A. Canolli ka ardhur me automjetin e tij “KIA” ngjyrë vishnje dhe është parkuar në një parking, ku pas kësaj ka ardhur i dyshuari tjetër S. Islami me veturën e tij “VW Caddy” ngjyrë të bardhë.

Sipas Prokurorisë, pas kësaj i dyshuari S. Islami ka hyrë në ndërtesën banesore në afërsi dhe ka dalë më një paketim të letrës në dorë, të cilin e ka vendosur në bagazhin e automjetit të A. Canollit tek vetura “KIA”, ku Canolli pastaj është nisur menjëherë në drejtim të rrugës “Xheladin Hana”.

Më pas, sipas kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit thuhet se Policia e ka ndalur automjetin e të dyshuarit A. Canolli në rrugën “Avdyl Lahu” dhe në bagazh të tij ka gjetur paketim me bar ngjyrë të gjelbër, që dyshohet se është marihuanë, me peshë rreth 5,150 gramë dhe një qese tjetër të njëjtë me peshë 2.6 gramë.

Ndërsa sipas Prokurorisë, të përfaqësuar nga prokurorja, Javorka Prilnçeviq, tek vetura e të dyshuarit tjetër, S. Islami është gjetur pluhur ngjyrë e bardhë me peshë të përgjithshme 2.6 gramë që dyshohet se është narkotik i llojit kokainë.

Tutje thuhet se më pas është bastisur shtëpia e të dyshuarit A. Canolli, ku është gjetur një sasi prej 301,4 gramë substancë narkotike që dyshohet të jetë marihuanë si dhe një peshore digjitale.

Kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit e kanë kundërshtuar të dyshuarit si dhe mbrojtësit e tyre.

A. Canolli në fjalën e tij tha se para disa javësh është takuar me një shok të tij, të cilit sipas tij nuk ia di emrin dhe ka pseudonimin Liku, dhe ai i ka kërkuar që të shkojë në Breg të Diellit që të marrë një mall, që ai pretendon që nuk e ka ditur se çka është por për shkak të kushteve të vështira ekonomike ka pranuar ta bëjë. I dyshuari po ashtu ka thënë se këtë mall ka pasur ta dërgoj nga Bregu i Diellit në një qendër tregtare në mënyrë që t’i marrë 100 euro.

Kurse, i dyshuari tjetër S. Islami tha se nuk ndihet fajtor për veprën penale.

Kështu mbrojtësit e tyre i kanë propozuar Gjykatës  caktimin e ndonjë mase tjetër alternative, por gjyqtari i procedurës paraprake, Kujtim Krasniqi pas vlerësimit të kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit po ashtu edhe deklaratave të të pandehurve gjeti se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve është e vetmja masë për rrjedhën e papenguar të procedurës penale në këtë çështje.