Arkiv- Gjykimi i rastit 'Veteranët' - 06.02.2020

Shkaku i COVID-19 shtyhet seanca e gjykimit për listën e veteranëve të UÇK-së

Procesi penal ku i akuzuar është Agim Çeku, Shkumbin Demaliaj, Rrustem Berisha e 9 të akuzuar të tjerë për keqpërdorim të detyrës zyrtare sa ishin pjese e Komisionit për njohjen e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëmarrësit në luftën e UÇK-së, është anuluar.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi avokati Arianit Koci, mbrojtës i te akuzuarit Shkumbin Demaliaj.

Koci tha se për shkak të pandemisë është anuluar seanca gjyqësore për sot dhe nesër dhe është shtyrë në kohë të pacaktuar.

Po ashtu, anulimin e seancës e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi.

Gashi tha për KALLXO.com se “seanca është anuluar për shkak të pandemisë sepse numri i të akuzuarve është i madh- 12 të akuzuar- dhe nuk mund të respektohet distanca sociale në sallën e gjykimit”.

“Po ashtu njëri nga avokatët mbrojtës ka kërkuar që për shkak të pandemisë të shtyhet gjykimi, e me këtë propozim ishte pajtuar prokurori i rastit dhe palët tjera në gjykim”, tha Gashi.

Edhe më 17 dhe 18 qershor janë anuluar seancat në këtë proces penal për shkak të gjendjes së pandemisë me COVID-19.

Në shtator 2018, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë kundër 12 personave për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët”, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prokuroria pretendon se nga provat e siguruara është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumën prej  88.769.217.04 euro.