Anulohet seanca në rastin “Veteranët” zyrtarët e IT-së në vetizolim për shkak të COVID-19

Dyshimet për përhapje të coronavirusit brenda disa punëtorëve në Prokurorinë Speciale kanë bërë që seanca për rastin   “Veteranët” të shtyhet.

Kjo seancë ishte caktuar të mbahej nesër më 17 dhe 18 qershor.

Por seancat dy ditore në këtë çështje penale janë anuluar pasi zyrtarët e IT-së së Prokurorisë Speciale gjinden në vetizolim për shkak se të njëjtit kanë pasur kontakt me një zyrtar tjetër që është i infektuar me COVID-19.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi avokati Artan Qerkini mbrojtës i të akuzuarit Rrustem Berisha.

“Gjykata na ka njoftuar se seanca në këtë rast penal është anuluar për shkak se zyrtarët e IT-së që kanë pas mi lëshu nesër provat materiale në sallën e gjykimit janë në vetizolim për shkak se kanë pasur kontakt me një zyrtar të infektuar me COVID-19”, tha ai.

Ndryshe nesër në këtë çështje penale do të fillonte mbrojtja e të akuzuarve.

Në shtator 2018, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë kundër 12 personave për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët”, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në këtë rast janë të akuzuar Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Prokuroria pretendon se nga provat e siguruara është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumën prej  88.769.217.04 euro.