llustrim

Sanije Rexha dhe Kushtrim Bala pritet të dalin para gjyqit për certifikatat e 31 veteranëve të UÇK-së

Me 6 janar 2020 fillon gjykimi ndaj  dy zyrtarëve të MPMS, të akuzuar për plotësimin e 31 formularëve për statusin e veteranit të luftës, shtetasve të Shqipërisë.

Aktakuzë kundër Sanije Rexhës, shefes së Divizionit për Kontroll të brendshëm dhe të Jashtëm në Ministrisë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Kushtrim Bala, zyrtarit të së njëjtës Ministri është ngritur për veprat penale Keqpërdorim i Detyrës Zyrtare dhe ushtrim ndikimi.

Me 16 dhjetor të këtij viti Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarëve të lartcekur për shkak se gjatë muajit tetor 2017, në bashkëveprim duke i shfrytëzuar pozitat e tyre kishin tejkaluar kompetencat dhe pa autorizim kanë marrë 31 formularë për njohje të së drejtës së veteranit të luftës dhe kishin shkuar në Shqipëri në qytetin e Kumës që këta 31 formularë të plotësoheshin nga 31 shtetasit e Republikës së Shqipërisë.

Prokuroria pretendon se Formularët e mbushur në Shqipëri u dorëzuan në Kosovë në DIFDL të MPMS, dhe aplikuesit përfituan nga statusi i veteranit të luftës 133 mijë e 280 euro në mënyrë të kundërligjshme, edhe pse formularët nuk u dorëzuan personalisht nga aplikuesit.

Gjithnjë sipas Prokurorisë e akuzuara Sanije Rexha, dhe Kushtrim Bala, si persona zyrtar me datën 16 janar 2019 në zyrën e tani të akuzuarës Sanije Rexha kishin ushtruar ndikim të drejtpërdrejt në zyrtaren për pranimin e formularëve në DIFDL të MPMS Vlora Blakqorri, për pranimin e 4 formularëve të sjellë nga Sokol Pogba, shtetas i Republikës së Shqipërisë.

Prokuroria thotë se zyrtarja Vlora Blakqorri pranoi formularët e panënshkruara nga aplikuesit, ndërsa i akuzuari Kushtrim Bala, i kishte fotokopjuar  certifikatat origjinale duke ndalur për vete kopjet e certifikatave dhe certifikatat origjinale ia kishte kthyer Sokol Pogbës.

Qëllimi i pranimit të këtyre dokumenteve ishte që të sigurohej përfitimi i statusit të veteranit të luftës dhe kompensimi për këtë status.

Gjykatësi i rastit, Musa Kongjeli me të pranuar aktakuzën nga Prokuroria Speciale e ka caktuar seancën e parë për këtë gjykim me datën 6 janar.

Ndërsa aktakuzën do ta përfaqësojë prokurori Blerim Isufaj.

Në këtë seancë dy të akuzuarit pritet të deklarohen rreth fajësisë.