Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Raportimi i KALLXO për skandalin e Gjykatës së Pejës, reagon kryetari i Supremes

Pas publikimit të dënimit 8 mujor për rastin e dhunimit të një 15 vjeçare ka reaguar edhe Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci.

Ai përmes një komunikate për media ka kërkuar që të ndërmerren masa në lidhje me aktgjykimin e gjyqtares Florije Zatriqi.

“Enver Peci, bazuar në kompetencat që ia jep Ligji Nr. 06/L-057 Për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, ka kërkuar nga kryetari i Gjykatës Themelore të Pejës, Armend Berisha që të ndërmerr të gjitha veprimet ligjore si kryetar për të adresuar përgjegjësinë disiplinore lidhur me këtë rast”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Supreme.

Lidhur me këtë rast kishte reaguar edhe kryeprokurori i shtetit, Aleksander Lumezi dhe ministrja e drejtësisë Albulena Haxhiu.

Lumezi ka këkruar që të rishqyrtohet ky rast nga prokuroria e Pejës dhe të dërgohet në përgjegjësi prokurorja e cila nuk ka parashtruar ankesë ndaj vendimit.

Të hënën KALLXO.com raportoi se si gjyqtarja Florije Zatriqi kishte nxjerrë një vendim me të cilin e kishte dënuar me 8 muaj e 8 ditë burgim të akuzuarin për dhunimin e një të miture.

Dënimi prej 8 muaj e 8 ditë burgim u vendos nga Zatriqi ndonëse sipas ligjit, dënimi i paraparë në këso raste, parashihet të jetë nga 5 deri në 20 vite burgim.

Përpos dënimit, të pazakontë këtë vendim e bën edhe fakti se si gjyqtarja Zatriqi nuk ka arritur ta gjejë asnjë rrethanë rënduese kundër të akuzuarit, përderisa në favor të tij i ka gjetur 10 rrethana lehtësuese ndër të cilat edhe rrethanën se viktima gjatë dhunimit nuk kishte pësuar lëndime.

Ngjarja për të cilën u shqiptua ky dënim, sipas aktakuzës kishte ndodhur në janar të vitit 2012.

Aktakuza përshkruan se e mitura 15-vjeçare në atë kohë ishte duke dalë nga spitali kur edhe ishte kërcënuar me thikë e më pas ishte marrë nga i akuzuari P.K së bashku me një person të mitur, të cilët më pas e kishin dërguar atë në një shtëpi të pabanuar.

Sipas prokurorisë, pasi viktima ishte dërguar në atë shtëpi, i mituri e kishte thirrur në telefon edhe një të mitur tjetër dhe aty gjatë tërë natës të tre e kishin dhunuar 15-vjeçaren.

E mitura kishte arritur të ikë nga ajo shtëpi në mëngjes dhe menjëherë e kishte raportuar rastin në Polici.

Për këto veprime në seancën e datës 12 korrik të këtij viti, i akuzuari P.K e kishte pranuar fajësinë.

Përpos vendimit KALLXO.com ka raportuar edhe për faktin se prokurorja e rastit nuk kishte parashtruar fare ankesë në gjykatën e Apelit.

Thellohet Skandali – Prokuroria u pajtua me dënimin 8 muajsh ndaj dhunuesit të 15 vjeçares