Prizren - Shtyhet gjykimi ndaj gjeodetit të akuzuar për keqpërdorimin e detyrës

Bajram Selmani, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare është ulur në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prizrenit.

Seanca e sotme nuk është mbajtur pasi sipas kryetares së trupit Teuta Krusha në mungesë të ekspertit të gjeodezisë Faton Bajselmani nuk janë plotësuar kushte ligjore që të vazhdohej seanca.

Gjithashtu, në seancë nuk ishte prezent as përfaqësuesi nga Prokuroria e Prizrenit.

Sipas Prokurorisë i akuzuari Bajram Selmani më datë 10.12.2017 në kohë të pacaktuar në cilësinë e personit zyrtar, gjeodet i licencuar, ka keqpërdorur detyrën e tij duke bërë ndarjen e parcelave pa lejen, dokumentin dhe kërkesën e njërit bashkëpronar, këtu njëherit edhe i dëmtuari Gjek Gjevlekaj, e me ç’rast parashtron kërkesën dhe realizon regjistrimin me ndryshime të pronës.

Sipas dosjes, thuhet që i akuzuari Bajram Selmani “me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për persona të tjerë, vëllezërit Pran, Gjon dhe Mihil Gjevlekaj, e që pretendohet të ketë shkelur të drejtat e personit tjetër bashkëpronar Gjek Gjevlekaj ka ndërmarrë veprimet e lartcekura”.

Në këtë rast e akuzuar ka qenë edhe Luljeta Rizanaj, e cila është liruar me vendim të Themelores. Të njëjtin vendim e ka vërtetuar edhe Gjykata e Apelit.

Rizanaj pretendohej se më datë 12.02.2018 në Prizren në kohë të pacaktuar, si gjeodete në Drejtorinë për Gjeodezi dhe kadastër kishte bërë regjistrimin me ndryshime të pronës së bashkëpronarit Gjek Gjevlekaj në Kadastral-Map.

Më tej pretendohes që në regjistrimin në Kadastral-Map, e ka bërë edhe pse lënda nuk ishte e kompletuar, mungonte dokumenti i identifikimit si dhe kërkesa dhe autorizuari i bashkëpronarit Gjek Gjevlekaj, pa pëlqimin e tij bën ndarjen e parcelave.

Shënim: Më 22.06.2024, në 18:50 artikulli është redaktuar duke iu shtuar epilogu i gjykatës për të akuzuarën në këtë rast.