Foto: Gazmend Morina/facebook

Një muaj arrest shtëpiak për kryeshefin e“Uniteti-t” në Mitrovicë

Gjykata në Mitrovicë i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej 30 ditëve kryeshefit të kompanisë së pastrimit “Unitetit”, në Mitrovicë, Gazmend Morina.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, avokati i Morinës, Musa Damati.

“Ju konfirmoj në cilësinë e avokatit se është mbajtur seancë dëgjimore dhe ndaj klientit tim është caktuar masa e arrestit shtëpiak për 30 ditëve”, ka thënë Damati.

Ai ka shtuar se në cilësinë e avokatit mbrojtës brenda 24 orëve do të paraqesë ankesë dhe do të kundërshtoj edhe këtë masë në Gjykatën e Apelit në Prishtinë

Morina është  arrestuar dje nga policia e krimeve ekonomike.

Zyrtari për informim në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, Valon Preteni ka treguar dje për KALLXO.com arsyet se pse është arrestuar Morina.

“Me vendim te prokurorit të Mitrovicës është ndaluar Gazmend Morina, arsyeja e ndalimit është dyshimi për keqpërdorim të detyrës zyrtare, arrestimi dhe ndalimi i tij ka ndodh në orën 10 të ditës se sotme”, ka thënë Preteni.