Gjykata e Mitrovicës - Foto: KALLXO.com

Mitrovicasi që kanosi policët dënohet me 2 mijë euro

Abaz Tahiri sot u dënua nga Gjykata e Mitrovicës për kanosjen e policëve me 4 muaj burgim, dënim ky që me pëlqimin e të akuzuarit u zëvendësua me 2 mijë euro gjobë.

Gjykatësja Lidija Vuqoreviq caktoi afatin prej 3 muajve për të paguar dënimin me gjobë.

Avokati Gazmend Isaijli deklaroi se dënimin me gjobë do ta paguajë vëllai i të akuzuarit i cili gjendet në Gjermani.

Gjithashtu avokati Ismaili deklaroi se shprehin gatishmëri që gjobën ta paguajmë menjëherë në shumë totale pa marrë vendimi formën e prerë.

Ndaj të akuzuarit Tahiri, u pushua edhe masa lajmërim në Stacionin Policor në Mitrovicë.

Tahiri kishte pranuar fajësinë për kanosje që në seancën e parë.

Tahiri akuzohet se më 16 gusht të këtij viti rreth orës 00:20 në afërsi të diskotekës “Famos Beach” në Mitrovicë kishte kanosuar policët Fatmir Uka, Bedri Ferati dhe Granit Aliu.

Sipas aktakuzës Tahiri, fillimisht kishte ndaluar veturën në të cilën gjendshein policët dhe pasi ishte fjalosur me ta u kishte thënë: “shkoni q…. me koleget e juja, se të gjithë ju policët jeni m. i njëjtë”, tutje sipas prokurorisë kishte thënë “zgjidheni këtë ose unë do dal me kallashnikov dhe do t’ju vras të gjithëve”, duke aluduar në personelin e diskotekës.

Tutje aktakuza thotë se pasi Tahiri, është arrestuar nga policët e kanosur ai gjatë tërë kohës deri sa kanë shkuar në Satcionin Policor i ka fyer policët dhe i ka kanosur duke u thënë “nuk do t`ua lë me kaq, do t`ua kthej, do t’ju hakmerrem”.