Pjetër Shala, Foto: Gjykata Speciale

Mbrojtja: Pjetër Shala nuk është kriminel, ai luftoi kundër agresioneve të padrejta

Avokati Jean-Louis Gilissen ka deklaruar se Pjetër Shala nuk është kriminel, nëse ai ishte në fabrikën e metaleve në Kukës, ishte për arsye të cilat nuk kishin të bënin me ndonjë akt kriminal.

Në Dhomat e Specializuara të Hagës të mërkurën ka vazhduar gjykimi kundër ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala.

Sipas Prokurorisë, Pjetër Shala akuzohet me katër akuza me krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë, pika katër vrasje e paligjshme të kryera në fabrikën e metalit në Kukës.

“Nëse Shala ishte i pranishëm në Kukës në ’99, ishte për faktin se ai kishte diçka të veçantë, jo për faktin se ishte kriminel… mbrojtja mbështet faktin se ai ishte në Kukës për arsye madhore, për arsye të nderuara, arsye që nuk kishin lidhje me asnjë akt apo projekt kriminal”- tha Jean-Louis Gilissen.

Jean-Louis Gilissen, në deklaratën hyrëse ka sqaruar se Pjetër Shala ishte luftëtar i lirisë i cili luftoi kundër agresioneve të padrejta.

Avokati më tej ka përshkuar se në Kosovë më 1999 ka pasur 900 mijë viktima direkte të abuzimeve të shumta dhe represionit të politikave dhe vendimeve të marra nga shteti serb për të bërë agresion ndaj popullsisë civile.

Sipas tij, ushtria me të gjitha mjetet e disponuara ishin në dispozicion të sulmeve të tilla, përfshirë grupe paramilitare dhe mizore që vinin veçanërisht nga Serbia në Kosovë.

“Vërtet kanë kryer sulm të përgjithshëm dhe diskriminues dhe pa dallim fare ndaj popullsisë së pafajshme”- u shpreh avokati.

Mbrojtësi Jean-Louis Gilissen më tej ka theksuar se Shala vetëm ka ushtruar një prej të drejtave themelore.

“Shala lufton kundër disa autoriteteve dhe disa të besuarve të këtyre autoriteteve në zbatimin e politikave kriminale. Duke bërë këtë Shala nuk ka bërë asgjë më tepër se sa ka ushtruar një prej të drejtave themelore që nënkupton të mbrojë vetën dhe të afërmit e tij”- u shpreh avokati.

Mbrojtësi më tej ka hedhur kritika karshi qëndrimit të Prokurorisë dhe mbrojtjes së viktimave për akuzën e frikësimit të dëshmitarëve.

“Mbrojtja e Shalës nuk është dakord me prezantimin e bërë nga ZPS dhe mbrojtja e viktimave, mënyrën se si vendosën të prezantonin zotin Shala, portretizimi i Shalës prej tyre është fals. Në këtë fazë mund të them dy reflektime që i mendoj të rëndësishme për t’i theksuar. Së pari mund të bëjë vetëm një apel të përgjithshëm për të qenë të kujdesshëm, kujdes ju lutem sepse kujdesi është i nevojshëm. Dëgjova dje disa gjëra shumë të çuditshme, së pari kolegët e mi si shembull kolegët nga ZPS folën për klimën e frikësimit të dëshmitarëve, ju lutem ku? Në çështjen e zotit Shala kur ka ndodhur? Ku, në çfarë momenti, çfarë ngjarje, ju lutem vetëm një na thoni”- tha mes tjerash avokati.

Pjetër Shala i njohur me nofkën Komandant “Ujku” po  gjykohet për krime lufte.

Ai ngarkohet për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje në Kukës,  në një fabrikë metali për të cilën aktakuza pretendon se u përdor nga UÇK-ja si qendër paraburgimi.

Aktakuza pretendon se personat që ishin ndaluar në këtë zonë, i nënshtroheshin çdo ditë rrahjeve me mjete të ndryshme si shufra metali, armë, shkopinj dhe thika.

Krimet u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave të ndaluar.

Viktimat ishin civilë që nuk merrnin pjesë në konfliktin e armatosur në Kosovë në atë kohë.

Pjetër Shala është arrestuar më 16 mars 2021, nga autoritetet belge ku dhe është duke qëndruar në paraburgim.

Në aktakuzën e konfirmuar më 12 qershor 2020e të  redaktuar më 15 prill 2021, prokuroria pretendon se Shala kishte kryer krime të luftës, në fabrikën e metalit në Kukës së bashku me pjesëtarë të tjerë të UÇK-së.

Pjetër Shala së bashku me persona të tjerë, si Sabit Geci dhe Xhemshit Krasniqi, dyshohet se kishin dërguar në qeli persona të ndryshëm në mënyrë të kundërligjshme duke i prangosur.

Shala akuzohet se i kishte keqtrajtuar të ndalurit në këtë qeli dhe i kishte rrahur me mjete të ndryshme.

Sipas prokurorisë personat që ishin ndaluar në këtë zonë, i nënshtroheshin çdo ditë rrahjeve me mjete të ndryshme si shufra metali, armë, shkopinj dhe thika.

Tutje në aktakuzë thuhet se të ndaluarit ishin rrahur mizorisht edhe pse ishin të plagosur me armë dhe njëri nga ta pasi nuk kishte pasur ndihmë mjekësore kishte ndërruar jetë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar pos të tjerash pretendon se si pasojë e keqtrajtimit të të ndaluarve në fabrikën e metalit në Kukës, shumë viktima humbën vetëdijen, pësuan thyerje eshtrash dhe u mbuluan me gjak.

Shkrimet e tjera lidhur me procesin gjyqësor kundër Pjetër Shalës mund t’i lexoni në këtë LINK.