Kthehet në fillim gjykimi ndaj të akuzuarve për shpëlarje parash, shmangie tatimi

Është kthyer nga fillimi gjykimi ndaj Ramadan dhe Muharrem Mavraj, Xhelal Kastrati, Valdet Muriqi, Flamur Mavraj dhe Rexhë Kastrati, të akuzuar për shpëlarje parash dhe shmangie nga tatimi.

Deri te kjo erdhi për shkak të ndërrimit të kryetarit të trupit gjykues që tani e tutje është gjyqtari Lutfi Shala.

Sipas gjyqtarit Shala, lënda i është caktuar me vendim të kryetares së gjykatës për shkak të gjendjes shëndetësore të gjyqtares Shadije Gërguri.

Në këtë seancë të gjithë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm si dhe mbrojtësit e tyre qëndruan pranë fjalës hyrëse të dhënë në shqyrtimin e mëhershëm.

Në vazhdim u konsideruan si të lexuara dëshmitë e dëshmitarëve si dhe provat materiale të paraqitura deri më tani.

Mbrojtësi i të akuzuarit Ramadan Mavraj, avokati Tomë Gashi propozoi gjykatës që si provë të administrohet ekspertiza e ekspertit Naser Prapashtica.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Muharrem Mavraj, avokati Taulant Rracaj propozoi që të administrohet si provë edhe aktgjykimi i Gjykatës së Prishtinës me të cilin është anuluar raporti final i ATK-së për veprën penale shmangie tatimore.

Këto dy propozime gjykata i aprovoi dhe i administroi si prova materiale.

Së fundmi gjykata konsideroi se dy ekspertizat e përpiluara financiare ishin kontradiktore dhe vendosi që të bëhet një ekspertizë e tretë për të gjithë të akuzuarit dhe veprat penale me të cilat ngarkohen.

Sipas aktakuzës, Ramadan dhe Muharrem Mavraj, akuzohen se nga viti 2010 e deri në vitin 2017, në vazhdimësi, me dashje dhe në bashkëveprim me njëri-tjetrin, pasurinë e fituar me aktivitet kriminal, me qëllim të transferimit dhe fshehjes së natyrës, burimit të pasurisë kanë kryer deponime dhe tërheqje të parave të gatshme në llogari individuale, kanë pranuar dhe transferuar mjete monetare me përshkrimin “kthim borxhi i deponimeve të viteve të mëhershme”, kështu duke kryer veprën penale “Pastrim i parave”.

Në këtë rast akuzohen edhe Flamur Mavraj, Xhelal Kastrati, Valdet Muriqi dhe Rexhë Kastrati, të cilët prokuroria i ngarkon si në vijim: që nga viti 2010 e deri në vitin 2014, në vazhdimësi, me dashje dhe në bashkëveprim me njëri-tjetrin, pasurinë e fituar me aktivitet kriminal, me qëllim të fshehjes së natyrës, burimit të pasurisë kanë kryer deponime dhe tërheqje në të gatshme, në llogari individuale, kanë pranuar dhe transferuar mjete monetare me përshkrimin “huazim ose kthim huazimi”.

Sipas prokurorisë, i akuzuari Ramadan Mavraj, nga viti 2010 deri në vitin 2017 në vazhdimësi, në cilësinë e personit përgjegjës të biznesit individual “ALBES”, me qëllim të shmangies nga tatimi, tarifave apo kontributeve të tjera të përcaktuara me ligj, nuk ka deklaruar qarkullimin financiar dhe nuk i ka përfshirë informatat lidhur me të ardhurat e tij, ashtu që ka dhënë informata jo të sakta nga veprimtaria e vet afariste, me ç ‘rast ka dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë prej 63,700.20 euro, duke kryer veprën penale “shmangie nga tatimi”.

Ndërsa, Muharrem Mavraj në aktakuzë akuzohet se me të njëjtat veprime ka dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë prej 334,856.40 euro.

Sipas aktakuzës, Flamur Mavraj akuzohet se nga viti 2010 deri në vitin 2017 në vazhdimësi, duke qenë i punësuar në biznesin individual “ALBES”, me qëllim të shmangies nga tatimi, tarifave apo kontributeve të tjera të përcaktuara me ligj, nuk ka deklaruar qarkullimin financiar dhe nuk i ka përfshirë informatat lidhur me të ardhurat e tij, ashtu që ka dhënë informata jo të sakta nga veprimtaria e vet afariste, me ç ‘rast ka dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë prej 3,333.60 euro.

Kurse Xhelal Kastrati akuzohet se në cilësinë e shitësit të pronës së paluajtshme në vlerë prej 1,500,000 euro, pjesën e tij pronësore prej 10%, me qëllim të shmangies nga tatimi nuk e ka deklaruar këtë transaksion, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës 2,223.60 euro.

Prokuroria akuzon, Valdet Muriqin, se në cilësinë e shitësit të pronës së paluajtshme në vlerë prej 1,500,000 euro, pjesën e tij pronësore prej 45%, me qëllim të shmangies nga tatimi, nuk e ka deklaruar këtë transaksion, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës 28,893.60 euro.

Ndërkaq Rexhë Kastrati akuzohet se në cilësinë e shitësit të pronës së paluajtshme në vlerë prej 1,500.000 euro, pjesën e tij pronësore 45%, me qëllim të shmangies nga tatimi nuk e ka deklaruar këtë transaksion, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës 26,733.60 euro.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK