Foto: Ilustrim

Të akuzuarit për shpëlarje parash ndihen të pafajshëm

Në seancën e shqyrtimit gjyqësor, të akuzuarit për shpëlarje parash, Shahadin dhe Sefer Hasani, babë e bir, nuk e kanë pranuar fajësinë për veprën penale që u vihet në barrë.

Të akuzuarit thanë se e përkrahin në tërësi fjalën hyrëse të mbrojtësve të tyre.

Pas leximit të aktakuzës, prokurorja e Prokurorisë Speciale, Habibe Salihi, bëri precizimin e kualifikimit ligjor të veprës penale- shpëlarja e parave.

Prokurorja i propozoi Gjykatës prova dhe dëgjimin e dëshmitarëve, të cilët sipas saj do të vërtetojnë veprimet inkriminuese të të pandehurve. Si provë ajo propozoi edhe aktgjykimin që ndodhet në shkresat e lëndës, kontratën e banesës, raportin informues nga Administrata Tatimore e Kosovës si dhe gjendjen e transaksioneve bankare.

Ndërsa, avokati Halil Palaj, mbrojtës i Shahadin Hasanit, në fjalën hyrëse e kundërshtoi aktakuzën e Prokurorisë Speciale, duke konsideruar se e njëjta është ligjërisht e paqëndrueshme meqë, i mbrojturi i tij është gjykuar për drogë, e ka pranuar fajësinë, është dënuar me gjobë 10.000 euro dhe ka vuajtur dënimin prej 3 vjet burg. Po ashtu, sipas avokatit, të mbrojturit të tij i janë konfiskuar vetura dhe sasia e drogës.

Avokati theksoi, po ashtu, se i mbrojturi i tij punon në ndërtimtari, ka firmë private dhe se banesën e ka blerë me paratë e fituara nga djersa e jo nga paratë e fituara nga shitblerja e drogës.

Lidhur me këtë, i akuzuari Shahadin Hasani deklaroi se pagesën e blerjes së banesës e ka realizuar përmes Raiffeisen Bankës.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Sefer Hasani, avokati Ali Beka, tha se aktakuza është në kundërshtim me dispozitat ligjore, pasi që, sipas tij, është dashur të administrohet ekspertiza financiare, e cila ndonëse është kërkuar nga Prokuroria e njëjta nnuk është duke u administruar nga fakti që ajo shkon në favor të të pandehurit.

Prandaj, avokati kërkoi nga Gjykata e Prishtinës të administrohet edhe kjo ekspertiza financiare e punuar nga eksperti Bali Morina si dhe plotësimi i të njëjtës.

Në seancën e së martës është dëgjuar dëshmitari Besim Ramadani, zyrtar i Operativës i Policisë së Kosovës, i propozuar nga Prokuroria.

Ai tregoi se e kishe marrë një veturë nga i pandehuri Shahadin Hasani në kohën kur kishte filluar biznesin në vitin 2012 ose 2013.

Ai theksoi se nuk e kishte paguar asnjë këst pasi që marrëveshja mes tyre ishte që brenda vitit të paguante çmimin.

Dëshmitari shtoi se nuk kishte mundur kurrë të paguante veturën sepse kishte dështuar në biznes në vitin 2014.

Siç tha në seancë, ai i kishte propozuar të akuzuarit që t’ia paguante pjesën e Lizing-ut pasi që as ai nuk ishte në gjendje të paguante pjesën tjetër të borxhit që kishte ndaj tij për veturë, i cili fillimisht ka hezituar ta paguajë, por kur ai ishte deklaruar se nuk ishte në gjendje që ta paguante borxhin e veturës, e pranoi ofertën.

Nga deklarata e dëshmitarit u bë e ditur se Shahadin Hasani kishte paguar komplet lizingun, pasi që nga Raiffeisen Bank ishte thirrur dëshmitari që t’ia bartë pronësinë nëpërmjet përmbaruesit.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Shahadin Hasani gjatë vitit 2015, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës e burimit të pasurisë së përfituar me aktivitet kriminal, i cili aktivitet ishte i ndërlidhur me veprën penale – narkotikët, dhe me qëllim që kjo pasuri e kundërligjshme të duket si e ligjshme, me paratë të cilat i ka përfituar nga aktiviteti kriminal ka blerë një banesë në Prizren, me çka akuzohet se ka kryer veprën penale -shpëlarje e parave.

Po ashtu, lidhur me të pandehurin Sefer Hasani, aktakuza thekson se gjatë vitit 2015, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës e burimit të pasurisë së përfituar me aktivitet kriminal, i cili aktivitet ishte i ndërlidhur me veprën penale – narkotikët, dhe me qëllim që kjo pasuri e kundërligjshme të duket si e ligjshme, ka blerë banesë sipas kontratës mbi bashkimin e mjeteve për ndërtimin e banesave si dhe kompensim një veturë xhip në vlerë prej 20.000 euro.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale – shpëlarje e parave.