Të akuzuarit për shpëlarje parash, e shmangie nga tatimi ballafaqohen me rrëfimet e dëshmitarëve në Gjykatë

Ramadan dhe Muharrem Mavraj, Xhelal Kastrati, Valdet Muriqi, Flamur Mavraj dh Rexhë Kastrati, të akuzuar për shpëlarje parash dhe shmangie nga tatimi janë ballafaquar sot në seancë gjyqësore me dëshmitarët e prokurorisë.

Prokuroria pretendon se këta të akuzuar duke blerë ngastra kadastrale, kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë rreth 458,000 euro.

Prokurori, Atdhe Dema, ka propozuar dëshmitarët Bajram Gashani, Hamdi Gërguri që të dëshmojnë për këtë rast.

Bajram Gashani dëshmon se me të akuzuarin Muharrem Mavraj ishte njohur prej kohës së studimeve dhe së bashku kishin raporte shoqërore e si të tillë kanë lidhur kontrata për shitblerjen e ngastrave të ndryshme.

Sipas deklaratës së të njëjtit u kuptua që jo të gjitha kontratat janë përmbushur dhe jo të gjitha pagesat janë kryer, mirëpo përsëri të njëjtit kanë lidhur kontrata të tjera.

“Ky në atë kohë i lidhke do kontrata, i fitojke do tendera kështu parimisht ki të drejtë pse me lidh kontratë, mirëpo na kemi pas raporte shoqërore marrëdhënie normale jemi dakorduar për shitblerje, mirëpo pronësia nuk ka kaluar pa u kry pagesa, pa u kthy në pikën 0”, tha Gashani.

Dëshmitari tjetër, Hamdi Gërguri deklaroi se ka bërë marrëveshje me të akuzuarit për shitje të produkteve apo shërbimeve që kompania e tij i ofron, marrëveshje këto të papërfunduara nga ana monetare por të kompensuara me makina të të akuzuarve.

“Vlera e marrëveshjes ka qenë vetëm sasia e produktit për metër kub zhavorr, disa i kam pas vetëm furnizim disa edhe shërbim d.m.th ngjeshje e zhavorrit, në plot pozicione ku ka pas nevojë, Prishtinë, Shtërpcë, Obiliq, Podujevë, e komuna tjera ku ka punuar për ndërtimin e komunave”, tha Gërguri.

Pas tij, është dëgjuar dëshmitari tjetër, Naim Lipaj, i cili ka punuar në kompaninë e Ramadan Mavrajt, në administratën dhe ka përgatitur dosjet për tenderë.

Njëkohësisht i njëjti ka hapur kompani të vetën, në emër të së cilës ka fituar tenderë për rinovimin e një shkollë në Pejë, duke nënkontraktuar kompaninë e Ramadan Mavrajt.

Sipas transaksioneve bankare për të njëjtin projekt dëshmitari i kishte kaluar 300,000 në llogarinë personale dhe të kompanisë së Ramadan Mavrajt.

Trupi gjykues e pyeti për ato të holla dhe se si është e mundur që i njëjti me kompaninë e tij që e konsideron biznes individual ka mundur të fitoj tender.

Gjithashtu kur pyetet për prejardhjen e  mjeteve, dëshmitari në fjalë deklaroi se ato kanë buruar nga kontratat e lidhura.

“Prej punëve të kryme”, u përgjigj disa herë Lipaj.

Dëshmitari gjithashtu u ballafaqua me dëshmitë e tij të dhëna tek hetuesit në  Administratën Tatimore ku kishte deklaruar se i akuzuari Ramadan Mavraj ka pasur raste që i ka dhënë para të gatshme, që dëshmitari më vonë i ka deponuar në llogari të të akuzuarit, mirëpo në seancë nuk e mbante mend një gjë të tillë.

Sipas aktakuzës, Ramadan dhe Muharrem Mavraj, akuzohen se nga viti 2010 e deri në vitin 2017, në vazhdimësi, me dashje dhe në bashkëveprim me njëri-tjetrin, pasurinë e fituar me aktivitet kriminal, me qëllim të  transferimit dhe fshehjes së natyrës, burimit të pasurisë kanë kryer deponime dhe tërheqje të parave të gatshme në llogari individuale, kanë pranuar dhe transferuar mjete monetare me përshkrimin “kthim borxhi i deponimeve të viteve të mëhershme”, kështu duke kryer veprën penale “Pastrim i parave”.

Në këtë rast akuzohen edhe  Flamur Mavraj, Xhelal Kastrati, Valdet Muriqi dhe Rexhë Kastrati, të cilët prokuroria i ngarkon si në vijim: që nga viti 2010 e deri në vitin 2014, në vazhdimësi, me dashje dhe në bashkëveprim me njëri-tjetrin, pasurinë e fituar me aktivitet kriminal, me qëllim të fshehjes së natyrës, burimit të pasurisë kanë kryer deponime dhe tërheqje në të gatshme, në llogari individuale, kanë pranuar dhe transferuar mjete monetare me përshkrimin “huazim ose kthim huazimi”.

Sipas prokurorisë, i akuzuari Ramadan Mavraj, nga viti 2010 deri në vitin 2017 në vazhdimësi, në cilësinë e personit përgjegjës të biznesit individual “ALBES”, me qëllim të shmangies nga tatimi, tarifave apo kontributeve të tjera të përcaktuara me ligj, nuk ka deklaruar qarkullimin financiar dhe nuk i ka përfshirë informatat lidhur me të ardhurat e tij, ashtu qe ka dhënë informata jo të sakta nga veprimtaria e vet afariste, me ç’rast ka dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë prej 63,700.20 euro, duke kryer veprën penale “shmangie nga tatimi”.

Ndërsa, Muharrem Mavraj në aktakuzë akuzohet se me të njëjtat veprime ka dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë prej 334,856.40 euro.

Sipas aktakuzës, Flamur Mavraj akuzohet se nga viti 2010 deri në vitin 2017 në vazhdimësi, duke qenë i punësuar në biznesin individual “ALBES”, me qëllim të shmangies nga tatimi, tarifave apo kontributeve të tjera të përcaktuara me ligj, nuk ka deklaruar qarkullimin financiar dhe nuk i ka përfshirë informatat lidhur me të ardhurat e tij, ashtu qe ka dhënë informata jo të sakta nga veprimtaria e vet afariste, me ç’rast ka dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë prej 3,333.60 euro.

Kurse Xhelal Kastrati akuzohet se në cilësinë e shitësit të pronës së paluajtshme në vlerë prej 1,500.000 euro, pjesën e tij pronësore prej 10%, me qëllim të shmangies nga tatimi nuk e ka deklaruar këtë transaksion, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës 2,223.60 euro.

Prokuroria akuzon, Valdet Muriqin, se në cilësinë e shitësit të pronës së paluajtshme në vlerë prej 1,500.00 euro, pjesën e tij pronësore prej 45%, me qëllim të shmangies nga tatimi, nuk e ka deklaruar këtë transaksion, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës 28,893.60 euro.

Ndërkaq Rexhë Kastrati akuzohet se në cilësinë e shitësit të pronës së paluajtshme në vlerë prej 1,500.000 euro, pjesën e tij pronësore 45%, me qëllim të shmangies nga tatimi nuk e ka deklaruar këtë transaksion, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës 26,733.60 euro.

Dështon përsëri seanca ndaj gjashtë të akuzuarve për shmangie nga tatimet dhe shpëlarje parash