IPK jep detaje për hetimet rreth skandalit që ndodhi në stacionin policor

Mbrëmjen e kaluar KALLXO.com ka raportuar se një person kishte kërcyer nga dritarja e stacionit policor “Qendra” në Prishtinë.

I dyshuari që ka kërcyer nga dritarja në ato momente ishte duke u intervistuar nga policia për shkak të një vepreje penale dhunë në familje.

KALLXO.com ka kërkuar të dijë nga ana e Inspektoratit Policor të Kosovës nëse kanë filluar hetimet në lidhje me këtë rast, ndërsa të njëjtit në një përgjigje drejtuar KALLXO.com kanë thënë se nuk kanë hasur në ndonjë vepër penale të zyrtarëve që po e intervistonin.

“Lidhur me këtë rast hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe pas ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore janë konsultuar edhe me prokurorin kujdestar i cili i ka udhëzuar hetuesit tanë se në këtë rast nuk ka elemente të veprës penale për zyrtarët policorë por ky rast do të përcillet edhe te Policia e Kosovës për trajtim administrativ për shkelje të mundshme disiplinore”, thuhet në përgjigjet e IPK-së drejtuar KALLXO.com.

Ata madje kanë thënë se janë njoftuar nga Policia në lidhje me incidentin.

IPK thotë se deri te kërcimi nga dritarja e dhomës së intervistimit, ka ardhur deri sa i dyshuari që ishte duke u intervistuar kishte kuptuar se do të dërgohej në mbajtje pas kryerjes së veprës penale.

KALLXO.com ka raportuar për rastin dhe ka kuptuar se i dyshuari që kishte kërcyer nga dritarja në stacionin policor, ka qenë recidivist i veprave penale dhe dje ishte arrestuar pasi që kishte sulmuar nënën e tij me thikë.

Inspektorati Policor po kryen hetime në stacionin e Policisë prej ku kërceu një i dyshuar

Inspektorati Policor po kryen hetime në stacionin e Policisë prej ku kërceu një i dyshuar

Skandal në Polici, i dyshuari kërcen nga kati i dytë i stacionit