Impakti i KALLXO.com - Nis procedura hetimore ndaj policëve për mosrespektim të masave kundër COVID-19

KALLXO.com ditën e djeshme raportoi për sjelljen e disa zyrtarëve policorë të cilët në një video të siguruar nga KALLXO, shiheshin duke hyrë në një nga marketet në Komoran, pa respektuar masat kundër COVID-19 dhe pa mbajtur maska mbrojtëse.

Në videon e siguruar nga KALLXO.com, policët përveç që shihej se nuk posedonin maska, të njëjtin nuk mbanin as distancën e nevojshme mes vete, siç rekomandohet sipas masave kundër COVID-19.

Përpos publikimit të videos, zyra ligjore e KALLXO.com menjëherë ka nisur edhe një shkresë ligjore tek Policia e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme, të cilët i ka informuar për sjelljen e zyrtarëve policorë.

E lidhur me çështjen e ngritur nga KALLXO, Policia e Kosovës përmes një përgjigje ka informuar se ka filluar procedurën hetimore ndaj anëtarëve të saj të cilët shihen në videon e publikuar dje.

“Ju falënderojmë për informacionin si dhe videon e dërguar, njëkohësisht ju njoftojmë se Policia e Kosovës ndaj zyrtarëve në fjalë ka iniciuar procedurë hetimore”, thuhet në përgjigjen e pranuar nga Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikut e Policisë së Kosovës.

Çdo ditë Policia po njofton se është duke shqiptuar me qindra gjoba ndaj qytetarëve që nuk po i respektojnë vendimet e Qeverisë për mbrojtje nga COVID-19.

Vetëm gjatë ditës së djeshme, sipas raportit të rregullt ditor të Policisë së Kosovës, 707 qytetarë janë dënuar për mosrespektim të masave anti-pandemi.

Shifrat e rasteve të reja me COVID-19 në vend janë alarmante.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit katër persona të prekur me COVID-19 kanë vdekur.

Numri total i vdekjeve që nga koha e fillimit të pandemisë në Kosovës ka shkuar në 2,295 persona.

Gjatë 24 orëve të fundit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, nga 10,258 testime të realizuara, 2,110 mostra kanë rezultuar pozitivë me COVID-19.

(VIDEO) Pa maska, policët ‘pushtojnë’ marketin në Komoran